Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një komunikim online me qytetarët, ku iu përgjigj pyetjeve lidhur me situatën politike dhe funksionimin e drejtësisë. Gjatë bashkëbisedimit, ai u pyet nga një qytetar përse drejtësia, sipas tij, nuk po vepron ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Në përgjigjen e tij, Berisha akuzoi SPAK-un se ndodhet nën ndikimin e qeverisë dhe se nuk vepron në mënyrë të pavarur.
Kreu i demokratëve vijoi me akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, Belinda Ballukut dhe anëtarëve të tjerë të qeverisë, duke pretenduar se janë përgjegjës për vjedhje në vlera të mëdha.
“Nuk preken sepse SPAK-u është në kontroll të plotë të Edi Ramës, i dashur Tom.
Sepse SPAK-u është një seksion i Partisë Socialiste. Kjo është e vërteta.
Dhe vjedhjet e Edi Ramës, të Lubi Ballukut dhe ministrave të tij, ju garantoj se janë miliarda euro. Por në rastin e Ballukut siç e patë dhe ju kur një prokuror vendosi të zbatojë ligjin, ai u përball me egërsinë e pakufishme të Edi Ramës, Lubi Ballukut dhe bandave të tyre.
U përball me votën e atyre mandateve të krimit në parlament.
Kështu që faktikisht SPAK-u është sot thjesht një organizatë e Partisë Socialiste”, u shpreh ai.



