Kryedemokrati Sali Berisha garanton të rinjtë se akti i parë pas zgjedhjeve do të jetë hapja përfundimtare e TikTok-ut. Gjatë fjalës së tij në konferencë për mediat, kreu i demokratëve thotë se dënon me ashpërsinë më të madhe vendimin për të mbyllur këtë rrjet social për 1 vit.
Sali Berisha: Dënojmë me ashpërsinë më të madhe këtë akt prej xhelati të fjalës së lirë të narkodiktatorit Edi Rama. Sikundër paralajmërojmë masa të përshkallëzuara kundër censurës dhe mbylljes së kësaj platforme, për të cilën duhet ta njohim këtu, është platforma më e ndjeshme ndaj postimeve me dhunë. Unë nuk them se kanë anë negative, por elementët që i keqpërdorin, duhen kontrolluar ata dhe jo TikToku, dhe jo FB, Instagrami apo mediat e tjera. Kështu që akti është ekuivalent. Unë nuk di vend tjetër ta ketë ndaluar TikTokun në botë, por sigurisht do e ndjekin edhe diktatorët e tjerë këtë. E dënoj me ashpërsinë më të madhe. Unë i siguroj gjimnazistët dhe studentët, sepse thotë jam këshilluar me prindërit, le që nuk është këshilluar fare, me prindërit që nuk e përdorin TIkTokun, nuk ke pse këshillohesh. Duhet të këshillohesh me ata që e përdorin, kjo dihet që është pasioni i të rinjve. I garantoj të rinjtë se akti i parë pas zgjedhjeve të 11 Majit do të jetë hapja përfundimtare e TikTokut dhe ndëshkimi i xhelatit të fjalës së lirë për krim kushtetues. Sepse po shkel nenin 22 të Kushtetutës.
Berisha thotë se PD dominon në mënyrë dërrmuese në audiencë, por edhe në postime në TikTok dhe sipas tij, Kryeministri Rama është tmerruar nga ky sukses.
Sali Berisha: Çdo censor, i çdo natyre qoftë, ai është një xhelat i fjalës së lirë. Edi Rama, njëlloj sikundër i ati, vari në vitin 1988, poetin disident Havzi Nela për vargjet e tij, Edi Rama vendosi të dënojë me vdekje TikTokun. Dhe narkodiktatori shpalli këtë vendim se e bazonte në 1300 konsultime, lexoni 1300 mashtrime, në takime me 63 mijë prindër, lexoni me 63 mijë trillime.
U rikthye tek metodat më banale të etërve të tij, Enver Hoxha dhe Kristaq Rama, përdori pretekste absurde pa asnjë lidhje me vrasjen e të ndjerit Martin Cani në shkollën Fan Noli. Kërkon pra me çdo kusht të gjejë argumente për të mbyllur këtë rrjet, këtë platformë, e cila ka meritën e veçantë, njëlloj si Twitter, pasi u ble nga Elon Musk, të mos aplikojë censurën. TikTok është një platformë, e cila nuk prodhon rrugaçëri siç pretendon Edi Rama.
Rrugaçëria në TikTok penetrohet nga të tjerë që i indukton Edi Rama me sjelljet e tij të kryebullistit të vendit. Në qoftë se bullizmi është një fenomen problematik dhe i dënueshëm, kryebullisti dhe kryemizogeni i vendit është Edi Rama. Por informoj se ky akt prej xhelati të fjalës së lirë, sikur të ishte i biri i Sadam Hyseinit apo vëlla i Asadit, ka një arsye strikt karrigen dhe pushtetin e tij. Sepse në qoftë se manipulon gjerësisht mediat, manipulon gjerësisht sondazhet dhe pollet, nuk manipulon dot TikTokun dhe rrjetet e tjera sociale. Ndaj dhe ai ka shprehur në mbledhjet e brendshme shqetësimin e madh për dominimin e opozitës në këto rrjet.
Tani unë u sjell ju këtu të dhënat e fundit mbi raportet e PD dhe partisë së krimit me TikTokun. Sipas një kompanie shumë serioze të studimit. PD dominon në mënyrë dërrmuese në audiencë, por edhe në postime sepse këtu nuk mund të censurohet. Ja ku e keni.Është pikërisht ky shkaku, tmerri nga suksesi, nga pëlqyeshmëria e lartë publike e opozitës në TikTok dhe mediat sociale, e cila përmbys të gjithë piramidën e mashtrimit të tij të bazuar në mediat konvencionale dhe pollet e përditshme që bën./tvklan.al