Nga prof. asoc. dr. Muhamet Bela
Akademiku Rexhep Qosja, një ndër figurat më të shquara të kombit tonë, ka sot 80- vjetorin e lindjes. Për këtë korife të diturisë, shkencëtar, historian të letërsisë shqipe, prozator, dramaturg, kritik letrar, eseist, publicist, pedagog me virtyte të rralla, intelektual atdhetar dhe mbi të gjitha njeri me virtyte të çmuara, janë shkruajtur vepra, artikuj, janë mbajtur kumtime të shumta në konferenca, simpoziume e kongrese brenda e jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë.
Natyrisht pa pretenduar se e njohim tërësisht korpusin e jashtëzakonshëm të veprave të tij, që për mëse një gjysmë shekulli i ka dhënë aq shumë letërsisë, sidomos historisë së gjuhës shqipe, artit dhe kulturës etj., mendova që në këtë përvjetorë të profesorit, të shkruaj, sadopak, në mënyrë sa më të përmbledhur për botimet e veprave “Dëshmitar në kohë historike”. Por është vështirë të përmbledh shkurt vlerat e padiskutueshme, jetësore, dobiprurëse për brezat e sotëm e të ardhshëm të këtyre veprave, këtyre dëshmive autentike, që jo vetëm të bëjnë të zgjerosh erudicionin vetjak, por para së gjithash, të nxjerrësh mësime të vlefshme për sot e për nesër, që hipokritët, “horrat që i mbajnë shkallët njëri-tjetrit”, siç shkruan profesor Qosja, të mos vegjetojnë në organe aq të rëndësishme, që dëmtojnë dijen, kulturën dhe shkencën.
Personalisht kam pasur fatin që “Ditarin e I-rë” ta kem të nënshkruar me firmën e tij, në promovimin e realizuar në Muzeun Historik Kombëtar, krahas mjaft personaliteteve të vendit, studiues të fushave të ndryshme, si dhe admirues të krijimtarisë qosiane, si dhe të jem një nga vizitorët e shumtë të shtëpisë modeste të tij, në të cilën krahas Valjonit me familjen e tij të shkëlqyer dhe Akademikut tonë të madh, bashkëjetuese e pandarë është biblioteka aq mbresëlënëse për pasurinë e saj. Në parathënien e veprës së parë profesor Rexhep Qosja, në mes të tjerash, ka përcaktuar tri arsyet kryesore të mbajtjes së këtij ditari: a) Arsye psikologjike; b) Arsyeja politike, shoqërore dhe kombëtare dhe c)Arsyeja jetëshkrimore.
Duke i dhënë përparësi dy të parave dhe sidomos të dytës, shikohet qartësia e argumenteve të paraqitura për secilën prej tyre, gjë që mishërohet plotësisht dhe gjatë leximit dhe studimit të këtyre pesë veprave që kanë njohur dritën e botimit dhe i përkasin një harku të gjerë kohor nga 1966-1985. Siç shikohet mbajtja e Ditarit fillon në një moshë mjaft të re, afro 24-vjeçare, që kur filloi të punonte si mësues në fshatin Shipol të Mitrovicës e deri më sot, në vijueshmëri, mendja dhe pena e tij, nuk u ndërpre asnjëherë, duke i dëshmuar vetë “me laps e me shkrim”, gjykimet për ngjarje, çështje, evenimente të rëndësishme, situata tejet të komplikuara për Kosovën e trevat shqiptare, përjetime emocionale vetjake, familjare, shoqërore, aspekte të karakterit të fortë dhe të atyre me karakter të dobët, që shkoqshëm shprehen në togfjalëshin e formuluar aq këndshëm prej tij: “Ata që do vdesin vetëm njëherë dhe jo ata që vdesin shumë herë”.
Në “Ditar” profesor Qosja nënvizon faktin se do t`i lërë mjaft të dhëna, të vërteta, të cilat “do u shërbejnë qëllimmirëve”. Njëkohësisht, me modestinë që e karakterizon, vë në dukje të metat e tij, si vese, gabime, nxitim etj., që të kujton shkrimtarin e madh Joseph Conrad, i cili në veprën “Lord Xhim”, qershor 1917 shkruante: “Jam armik i madh i anshmërisë, si në jetën publike ashtu edhe në atë private, madje edhe kur shkrimtari duhet të shprehet për qëndrimin ndaj veprave të veta”. Me karakterin që e karakterizon profesor Qosen që në fillim thekson se: “Prandaj do të përpiqem të tregoj të mirën, të drejtën dhe të vërtetën, por edhe të keqen, iluzionin, gabimin që e gjeja te vetja ime.
Por jam i vetëdijshëm se kurrë nuk i kam lejuar vetes t`i bëj të keqe kujt e as të përdor mjete moralisht të palejueshme. Kam duruar akuza të pavërteta politike, po: “Në jetë jam udhëhequr nga mendimi i Heraklitit: më fatkeq është ai që e bën se sa ai që e pëson të padrejtën”. Profesor Rexhep Qosja sjell në vëmendjen e lexuesit prezencën e pak ditarëve dhe pak kujtimeve në krijimtarinë shpirtërore të popullit shqiptar, ndërsa evidenton faktin se te popujt evropianë çmohen shumë te francezët, anglezët, italianët, gjermanët, rusët, spanjollët, polakët dhe në Ballkan te grekërit, kroatët, serbët.
Shquan sidomos Ditarët e krijuesve të mëdhenj të Shatobrianit, Getës, Griparcerit, Zhidit, Kafkës, Frishit, Rolenit, Pavezes etj. Arsyeja politike, shoqërore dhe kombëtare është devizë kryesore e mbajtjes së ditarit nga Akademik, Profesor Rexhep Qosja. Ashtu si çdo krijues me dhunti tepër të veçanta, ky erudit i madh, që gjithë jetën ia kushtoi kombit të tij, punoi e veproi në kushte tejet të vështira, nën trysninë e përditshme të pushtetit genocidist serb dhe pse jo edhe të ndonjë puthadori shqiptar, përfitues nga ky pushtet.
E shprehur mjaft qartë gjendja e popullit të cilit i përket, si në veprat “Popull i Ndaluar”, Vdekja më vjen prej syve të tillë” , etj, ashtu dhe në këtë ditar shikohet më së miri, si punoi dhe veproi ai në këto kushte. Duke qenë i ndërgjegjshëm për vështirësitë e panumërta që kalojnë mbi popullin e martirizuar të Kosovës, përmes veprave të tij dhe këtyre shënimeve në formë ditari, kontakteve të shumta, sidomos me studentët e krijuesit e rinj, bën gjithçka të dobishme për rritjen e ndërgjegjes kombëtare, vënien në lëvizje dhe rritjen e tërë aksesorëve që veprojnë në Kosovë, me qëllim që shqiptarët të fitojnë të drejtat e tyre legjitime, si mbarë popujt e tjerë të qytetëruar.
Ndër ngjarjet më pikante të Ditarëve janë sidomos demonstratat e viteve 1968 dhe 1981. Në përshkrimin që i bën stuhinë studentore të këtyre viteve vlerëson shumë qëndresën heroike të tyre, oshtimën e studentëve për universitet në gjuhën shqipe, Kosovën Republikë, Vetëvendosjen si të drejtë themelore, Flamurin Kombëtar etj. Ai ndjen tronditje të thellë shpirtërore për dhunën e pashembullt të pushtetit gjakatar jugosllav ndaj rinisë studentore, duke vënë në përdorim gazin lotsjellës, kryer burgosje politike, përndjekje arbitrare, rrahje, gjakosje ndaj gjeneratës më të re, më vitale të studentëve dhe mbështetësve të tyre.
Mjaft domethënëse, në mes të tjerash, janë dy ngjarje që përshkruan Akademik Rexhep Qosja në shënimet e 7 dhjetor 1968, kur flet për shfaqjen nënë Teatrin Popullor Krahinor në Prishtinë të dramës “Duart e ndyta,” të Zhan Pol Sartër, filozof, kritik dhe shkrimtar i shquar francez, ku qartazi shprehet fakti se duart e ndyta “shuajnë me gjak demonstrata të arsyeshme, të drejta, çlirimtare”. Mjaft i revoltuar me këtë gjendje ai shprehet: “Sa duart e ndyta na e shtrëngojnë qafën gjatë jetës!”. Duke i kushtuar vëmendje rritjes së vetëdijes çlirimtare të popujve, profesor Qosja sjell në vëmendje më 20.1.1969, vetëvrasjen protestuese të jashtëzakonshme të të riut Jan Pallah në Pragë, student 21 vjeçar , që u vetëflijua në shenjë proteste për shkak të pushtimit të atdheut të tij , vetëflijim i pambajtur mend në historinë evropiane, siç shkruan profesori.
I bindur plotësisht në triumfin e idealeve të lirisë së popullit të cilit i përket, Ai citon me 24.5.1981 mendimin e urtë të Ndre Mjedës së madh: “ Bylbyl ky shekull orë e çast ndërrohet, Bijnë poshtë të naltit e i vogli çohet”. Pas këtyre demonstratave pushteti represiv serbomadh fillon përndjekjen e gjithë kundërshtarëve të tij, përfshi dhe përndjekjen e intelektualeve të Kosovës mosnënshtrues të këtij regjimi, që shprehet dhe me të ashtuquajturën “politikë të diferencimit” në mbledhjet e organizatave të partisë, organeve më të larta drejtuese partiake e pushtetore Një qëndrimi i tillë reflektohet dhe përmes pengesave të shumta ndaj krijimtarisë së Rexhep Qosjes, siç janë pengesat për botimin e veprave të tilla kaq të thella si “Morfologjia e një fushate”, “Nocionet e reja albanologjike” etj., dhe duke arritur në absurditet, shkarkimin detyra e drejtorit të Institutit Albanologjik, të Akademik, profesor Rexhep Qosen dhe largimin nga puna, të akademikut Ali Hadrit.
Në këtë ditar, të ruajtur në këtë kohë mynxyrash nga njerëz shumë të besuar të profesor Qosjes, bien në sy edhe disa personazhe negative, që moto të tyre kanë servilizmin, shërbimin ndaj pushtetit serbomadh, përmes mbështetjes së hapur të “politikës së diferencimit”. Prodhimtaria cilësisht e lartë e veprave historike, letrare, shkencore, mbështetja e Lëvizjes studentore të vitit 1968, 1981, qëndresa vigane e tij, mosnënshtrimi ndaj kësaj mynxyre në ato kohëra etj., dëshmojnë qartë vizionin dhe vitalitetin tij dhe bëjnë krenar jo vetëm kohanikët e akademik Rexhep Qoses, por edhe brezin e ri për të mishëruar virtytet më të larta të trashëguar brez pas brezi.
…
“Vepra juaj, referencë dhe gur i rëndë në ngrehinën e vetëdijes”
I dashur prof. Rexhep Qosja, mik i shtrenjtë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë shënjon e feston sot bashkë me ju 80-vjetorin e ditëlindjes suaj dhe ju uron përzemërsisht për shumë mot e për shumë jubilenj gëzuar. Janë të rralla rastet e lumtura të shkrirjes së shkëlqyer të energjisë intelektuale dhe virtytit moral me pasionin misionar, siç e provon veprimtaria juaj shkencore e qytetare. Vepra juaj është një referencë themelore dhe një gur i rëndë në ngrehinën e vetëdijes dhe të botëkuptimit shqiptar.
Ajo është sot dhe do të jetë nesër, ajo është bërë pjesë me rëndësi e historisë së mendimit kombëtar. Historia e letërsisë shqipe, historia e kulturës kombëtare, historia e çështjes shqiptare, kanë gjetur në veprën tuaj një mendje të mprehtë dhe një kurajë të fortë, që i ka përshkuar vitet e dekadat me koherencë e devotshmëri. Prej këtij 80-vjetori, ju dhe ne, miqtë tuaj, kemi plot të drejtë t’i shohim kohët e përshkuara me krenarinë e qëllimit të përmbushur. Ne ju urojmë përzemërsisht jetë të gjatë, shëndet të plotë, kërkim e krijimtari të suksesshme, gëzime të reja e arritje të tjera.
Myzafer Korkuti