Gjykata e Apelit në Shtip ka refuzuar ankesat e disa prej të dyshuarve lidhur me hetimet për zjarrin tragjik në diskotekën “Puls” në Koçan, duke konfirmuar masat paraprake të sigurisë të caktuara më herët.
Ish-ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, do të qëndrojë në paraburgim, ashtu si edhe ish-sekretarja shtetërore në këtë ministri, Razmena Çekiç-Duroviq, e cila dyshohet për nënshkrimin e licencës së dytë që i mundësoi lokalit të ushtronte aktivitetin hotelier.
Ndërkohë, ish-kryetarët e Komunës së Koçanit, Nikollço Iliev dhe Ratko Dimitrovski, janë vendosur në arrest shtëpiak.
Gjykata ka shqyrtuar gjithsej tetë ankesa nga të dyshuarit, prej të cilave vetëm një është pranuar. Në këtë rast, një inspektori nga Inspektorati Shtetëror i Tregut në Vinicë i është zëvendësuar masa e arrestit shtëpiak me masa më të lehta kujdesi.
Të dyshuarit janë pjesë e hetimit për zjarrin në diskotekën “Puls” që shkaktoi humbjen e jetës së 61 personave, një nga tragjeditë më të rënda në historinë e vendit.