Pas 15 viteve nga dalja e BDI-së në skenën politike në Maqedoni, është hera e parë që në këto zgjedhje parlamentare ky subjekt të humb legjitimitetin e popullit nga një forcë e re në politikbërjen shqiptare, Lëvizja BESA, në komunën e Çairit. Ishte pikërisht kryetari i degës Çair, Bekim Sali ai i cili e strukturoi këtë komunë me një rini të shëndoshë dhe intelektuale, kështu duke thyer gjitha tabutë se Çairi ka qenë dhe do të mbetet bastion i BDI-së. Andaj në intervistën e Almakos “3 Pyetje nga Mensur Krasniqi”, Bekim Sali zbulon sekretin e suksesit dhe formën se si tani Lëvizja BESA do të paraqitet si favorit absolut ndaj BDI-së, në zgjedhjet lokale të cilat pritet të mbahen pas 4 muajsh.
Mensur Krasniqi: Fitore e Lëvizjes BESA në komunën e Çairit. Na thuani sinqerisht nëse ishte kjo fitore e pritur ose më shumë një befasi e këndshme?
Bekim Sali: Entuziazmi dhe vullneti, po duke ia shtuar këtu edhe dëshirën e qindëra aktivistëve të rinjë të cilët nuk dallonin ditën dhe natën për të qenë në dispozicion të kauzës dhe për ti thënë mjaft të keqes që reflektonte BDI me vite të tëra gjatë qeverisjes së tyre në pushtet, ishte faktori kyç i këtij suksesi të Lëvizjes BESA në Çair. Kështu duke qenë dëshmitar të aktiviteteve të njëpasnjëshme dhe strukturimit të mirrëfilltë të kuadrove nëpër gjitha nëndegat e degës së Çairit, rezultati pozitiv ishte i pashmangshëm dhe parasegjithash i shumëpritur. Por një gjë duhet pranuar se ne ishim vetëm autorët e këtij ndryshimi, ndërsa Zoti na shpërbleu për mundin dhe qëllimin tonë.
Mensur Krasniqi: Ju si kryetar i degës së Çairit nga Lëvizja BESA, në këto zgjedhje parlamentare arritët të grumbulloni 8235 vota, kështu duke e lënë pas BDI-në me 6600 vota. A paraqet ky një sinjal se tani BESA në garë për zgjedhjet lokale do futet si favorit në bastionin e BDI-së?
Bekim Sali: Një korigjim në formulimin e pyetjes. Pas shpalljes së rezultatit të mbrëmshëm, është e padrejtë për banorët e Çairit, kjo komunë ende të quhet “bastion” i BDI-së. Banorët e Çairit tashmë meritojnë të frymojnë ndryshe, meritojnë një trajtim si vlerë dhe jo si numër e votë. Nuk dëshiroj të paraqitem skeptik, po as ti themi vetes MashAllah. Andaj nga sot e tutje ne duhet të angazhohemi që të thërrasim të gjithë ata të cilët ende druhen nga kërcënimet e BDI-së, se do ti largojnë nga puna apo diçka tjetër, dhe t’ua bëmë me dije se BDI tani janë gjunjëzuar dhe nuk kanë asnjë mekanizëm për ta ndalur këtë hov të qytetarëve. Ju jeni vet drita e kësaj errësire që ka shkaktuar BDI-ja, andaj ndizeni dritën.
Mensur Krasniqi: Dhe për në fund cili është qëndrimi juaj mbi rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në nivel republikan?
Bekim Sali: Lëvizja BESA si një forcë e re në politikbërjen shqiptare në Maqedoni ka arritur të shkruan historinë. Tani BESA ka siguruar formimin e grupit parlamentar edhe përkundër të gjitha përpjekjeve të pushtetit që kanë fshirë mbi 25 mijë votues shqiptarë, dhe në këtë formë ua kanë kontestuar të drejtën e votës. Për momentin ka mjaft parregullsi zgjedhore dhe parashtresa të cilët janë dorëzuar nëpër këshillet komunale të KSHZ-së, andaj kisha preferuar që mos të thirrem aq shumë të diskutojë në këtë temë pa u shpallur qëndrimet zyrtare të kryesisë qendrore./ Almakos.