Pandemia me korona virusin ndikoi që të ndryshohet edhe Ligji për ndërtim. Për shkak të gjendjes aktuale me Covid-19 u paraqit nevoja që në Ligjin për ndërtim të shtohet edhe një lloj i veçantë i ndërtimeve modulare për veprimtari shëndetësore. Në këtë lloj ndërtimesh përfshihen spitalet modulare dhe objekte të tjera varësisht nevojave të shëndetësisë e që do të vendosen në oborret e institucioneve shëndetësore.
Gjithashtu risi e këtij ligji është se procedura për dhënien e vendimit për ndërtimin e tyre nuk e jep Ministria e Transportit por Ministria e Shëndetësisë me procedurë të veçantë.
Zv/ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bekim Rexhepi tha se ky ndryshim u bë me qëllim të rritjes së efikasitetit në sistemin shëndetësor.
“Bisedohet për objekte që kanë nevojë në sistemin e shëndetësisë sepse ndërtime modulare ka edhe Ministria e Ekonomisë jep vendime dhe ato janë gjera tjera dhe në këtë rast kishte zbrazëtirë në ligjin aktual ekzistues për ndërtim dhe këto lloj ndërtimesh nuk parashiheshin, respektivisht ishte më e komplikuar.
Tani është qartësuar dhe është parashikuar edhe ky lloj i veçantë”, tha Bekim Rexhepi – zv/ministër i Transportit dhe Lidhjeve.