Deputeti i koalicionit VLEN, Bekim Qoku, ka reaguar publikisht pas incidentit të ndodhur një ditë më parë në pikën kufitare të Qafë Thanës, ku ai, së bashku me dy zyrtarë të tjerë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, pretendon se u përballën me një ndalim të pashpjegueshëm nga autoritetet shqiptare.
Sipas Qokut, ai, një deputet tjetër dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë u mbajtën për më shumë se një orë në kufi pa marrë asnjë sqarim zyrtar. Fillimisht, atyre iu lejua kalimi, por më pas njërit prej shoqëruesve të tyre iu refuzua hyrja në Shqipëri. Për këtë arsye, ata vendosën të kthehen në Maqedoninë e Veriut.
Qoku thotë se gjatë kthimit u informuan nga pala maqedonase se, sipas konfirmimit të policisë shqiptare, refuzimi i hyrjes vlente edhe për të tre zyrtarët, ndonëse më herët ishin lejuar të kalonin kufirin.
Deputeti i VLEN thekson se deri tani nuk ka marrë asnjë vendim apo njoftim zyrtar që shpjegon arsyet e këtij veprimi dhe kërkon transparencë nga institucionet shqiptare.
Ai ngre dyshimin se ndalimi mund të lidhet me mbështetjen e tij publike për protestat e fundit në Shqipëri, duke e cilësuar një veprim të tillë si cenim të lirisë së shprehjes dhe të standardeve demokratike.
Në reagimin e tij, Qoku krahason këtë situatë me faktin se Shqipëria ka pritur dhe nderuar figura të njohura serbe, ndërsa, sipas tij, shqiptarëve nga jashtë kufijve u refuzohet hyrja pa asnjë shpjegim.
Në fund, ai paralajmëron se nëse rezulton se qytetarët ndëshkohen për mbështetjen e protestave paqësore, atëherë kjo do ta afronte Shqipërinë me praktika që, sipas tij, karakterizojnë regjimet autoritare. Megjithatë, ai thekson se shqiptarët e duan Shqipërinë si atdhe, por, siç shprehet, “Shqipërinë e drejtë, demokratike dhe evropiane, jo pushtetin që vihet në funksion të autokracisë dhe përçarjes së shqiptarëve.”


