Përfaqësuesi i Vetëvendosjes në Maqedoninë e Veriut, Bekim Qoku, njëherit deputet nga radhët e VLEN ka kërkuar që “korridori 8” të ndërtohet sa më shpejtë, përcjell Almakos.
“Ndërtimi i Korridorit 8 nuk ka pse të bëhet peng i bisedimeve politike me Bullgarinë.
Bullgaria vazhdon punët e ndërtimin e tij, pavarësisht se MV ende nuk ka bërë ndryshimet kushtetuese që i kërkohen.
Nga ana tjetër MV ka bërë rreth 1 miliard euro investime në Korridorin 10 gjatë kohës së kontestit me emrin që kishte me Greqinë.
Madje përkushtimi ndaj Korridorit 8 nga qeveria jonë duhet të shtohet edhe më intensivisht, pikërisht për të thënë se ne duam me çdo kusht ta zhvillojmë infrastrukturën në mënyrë sa më të mirë e më të shpejtë.
Nuk mund të ndërlidhet ndërtimi i rrugëve, brenda territorit të shtetit, me marrëdhëniet që i ndërtojmë me qeveri apo kryeministra të disa shteteve të caktuara apo me tema politike. Temat dhe kryeministrat ndërrohen dhe do të ndërrohen, por rrugët (e këqija) mbesin, kurse qytetarët vazhdojnë të ikin. Nuk shtihet inat me mirëqenien e qytetarëve të tu” – thotë Qoku./Almakos