Deputeti Bekim Qoku, koordinator i grupit të deputetëve të Koalicionit “Vlen”, reagoi në votimin e sotëm në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku deputetët e BDI-së votuan kundër verifikimit të mandatit të Valbona Adili Emini, deputete nga radhët e VLEN-it.
“Sot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut u regjistrua një precedent, ku BDI votoi kundër verifikimit të mandatit të deputetes nga radhët e VLEN-it, znj. Valbona Adili Emini. Ky akt është i paprecedentë, pasi nuk ka ndodhur që deputetët të votojnë kundër verifikimit të një mandati. Kjo është një shkelje e qartë e vullnetit të popullit, e të gjithë atyre qytetarëve që votuan për këtë deputete”, tha Qoku në një konferencë për media në Kuvend.
Sipas tij, verifikimi i mandatit të deputetes nga Kuvendi është vetëm një proces formal dhe teknik, ndërsa kundërshtimi i deputetëve me votim është shkelje e vullnetit të popullit dhe sulm ndaj vlerave demokratike të prezantimit.
“E gjithë kjo sjellje e përfaqësuesve të BDI-së në Kuvend është e papranueshme dhe absurde. Veçanërisht për zotëri Talat Xhaferin, i cili tashmë dy mandate udhëheq Kuvendin dhe asnjëherë nuk ka ndodhur një situatë e tillë. Kjo është një pyetje publike për të gjithë: pse nuk i ka penguar partneri në koalicion, Jovan Tarçullovski, ndërsa tani i pengon znj. Valbona Adili Emini? Ky akt mund të interpretohet si një akt dëshpërimi i opozitës shqiptare, e cila përdor metodat më të pista për të luftuar kundër Vlenit. Nuk mund të mos pyes: Si është e mundur aq shumë deputetë shqiptarë, përfaqësues të popullit shqiptarë, e bënë këtë precedentë, pikërisht për një shqiptare, mjeke e respektuar nga Kërçova”?, shtoi ai.
Qoku theksoi se, siç tha “Valbona Adili Emini është zëri i 107.000 shqiptarëve të cilët kërkojnë ndryshim, ndërsa jo zëri i deputetëve të cilët, siç dihet, janë blerë me shantazhe dhe presione nga anë të ndryshme”.
“Mosvotimi i mëparshëm i Valbonës nga BDI-ja nuk është gjë tjetër veçse një frikë nga ajo që përfaqëson: Ndryshimi. Ky ndryshim është diçka që klasa e vjetër dhe e degraduar politike nuk e dëshiron, por do të vijë dhe asnjë forcë nuk mund ta ndalojë”, theksoi ai.