Gjelbërim, kujdes për të moshuarit, konkretisht Qendër për të moshuar, ujë për gjithë Gostivarin, si dhe menaxhim me deponinë dhe ujërat e zeza… dhe qyteti i Gostivarit do bëhet qyteti më i pastër në Maqedoni.
Kështu ka thënë kryetari aktual i Gostivarit, njëherësh kandidat për mandatin e radhës, Nevzat Bejta në debatin parazgjedhor në RTVM2.
Bejta ka përmendur edhe themelimin e një Qendre për aktivitete rinore, ndërsa ka premtuar edhe themelimin e një leximore-bibliotekë për nxënësit dhe studentët e Gostivarit. Ai ka përmendur gjithashtu edhe rregullimin e urave dhe sheshit të Gostivarit, derisa ka siguruar se projektet në Programin e tij 2017-2021 do të realizohen në tërësi.
“Që në ditën e parë, kur mora mandatin, dyert e Komunës janë të hapura për qytetarët. Projekti më themelor për Gostivarin dhe rrethinën e saj, është ujësjellësi, ndërsa tashmë dy ekspertë zviceran janë në Gostivar dhe po shohin modalitetet, pasi në bashkëpunim me Agjencinë Zvicerane për zhvillim, projekti është gati dhe shumë shpejt rrjeti do zgjerohet dhe do kyçen edhe vendbanimet tjera të Gostivarit”, ka thënë Bejta.
Ai ka kujtuar edhe urën me katër korsi mbi lumin e Vardarit, një investim kapital për qytetin.