Kandidati i VLEN-it për kryetar të Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, sonte në emisionin “Debat në SHENJA” ka ngritur akuza të rënda ndaj kundërkandidatit të tij, duke e akuzuar për, siç tha ai, “krim” në lidhje me furnizimin e karrigeve për institucionet komunale.
Bejta deklaroi se ka qenë i pranishëm në momentin e nënshkrimit të Kodit për zgjedhje të lira dhe demokratike, ndërsa akuzoi se një karrige për kryesuesin e Këshillit Komunal, e cila sipas tij kushton rreth 30 euro, është faturuar me një vlerë mbi 10 mijë euro.
“Kjo që ka ndodhur nuk është korrupsion, por krim. Krim është. Ajo që e ka bërë Taravari si krim, ky e ka vazhduar. Kemi plot afaristë që merren me biznese dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur në asnjë komunë në vend, por as në komunat e Ballkanit. Ky është skandali më i madh”, deklaroi Bejta.
Ai shtoi se akuzat për këtë rast, sipas tij, janë pranuar edhe nga vetë përfaqësuesit e pushtetit aktual, ndërsa hodhi poshtë reagimet e kundërshtarëve politikë, duke i cilësuar si akuza të pabaza dhe pa argumente.
“Nëse kanë argumente, le të vijnë këtu dhe të ballafaqohen me mua. Ballafaqimi do të jetë ballë për ballë, ndërsa vlerësimin do ta japin qytetarët”, theksoi Bejta. /SHENJA/


