Në intervistën e dhënë për gazetarin Genc Ymeraj, Bejta është shprehur që e gjithë kriza e krijuar politike po bëhet për të shpëtuar nga përgjegjësia individ të caktuar dhe nuk ka të bëjë aspak për çështje nacionale dhe shtetërore.
“Kur liderët nuk japin llogari dhe nuk duan ta vendosin drejtësinë në vendin e vet, atëherë ata kanë problem me vetveten dhe tentojnë që ta marrin në qafë shoqërinë e tyre për të shpëtuar veten. Zgjedhjet janë mbajtur dhe duhet të respektohet vullneti i shumicës së qytetarëve. Partitë e shumicës parlamentare kanë të drejtë të zgjedhin kryetarin e Parlamentit dhe kabinetin e ri qeveritar. Partia e cila nuk arriti të krijon shumicën e nevojshme parlamentare, nuk dëshiron të respektoje vullnetin e shumicës së elektoratit. Presidenti i shtetit thelloi krizën duke keqpërdorur detyrën dhe duke shkelur kushtetutën duke mos respektuar shumicën parlamentare. Ky është shembull unikat që s’ka ndodhur në shtetet me demokraci të pazhvilluar e të mos flasim në shtetet e avancuara demokratike”, deklaroi Bejta.
Në intevistën për për televizionin publik shqiptar – TVSH, nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim – BDI, Nevzat Bejta ka folur edhe rreth deklaratës së subjekteve politike shqiptare në Maqedoni, duke saktësuar që deklarata u krijua dhe u miratua nga këto subjekte dhe në Maqedoni.
“Duhet të bëjmë një sqarim se nuk bëhet fjalë për platformë por për deklaratë politike e cila është krijuar nga subjektet politike shqiptare në Maqedoni dhe e bërë transparente në të gjitha mediumet e vendit. Deklarata nuk është përpiluar në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë. Të drejtat e paraqitura janë në përputhje me kushtetutën. Është tjetër punë tentimi që deklarata të keqpërdoret nga partitë politike maqedonase, për përfitime ditore dhe për të ikur nga përgjegjësia e tyre. Kushti është të vendoset drejtësia, të miratohet deklarata e partive politike shqiptare. Me këtë deklaratë nuk mohohet asnjë e drejtë e komunitetit maqedonas dhe është në linjë me Marrëveshjen e Ohrit e cila në vitin 2002 u bë pjesë e Kushtetutës së Maqedonisë. Çdo parti duhet të respektojnë kushtetutën dhe me këtë kushtetutë shqiptarët bëhen të barabartë me maqedonasit në nivel qendror dhe lokal.
Bejta ritheksoi që në Maqedoni nuk ka krizë ndëretnike dhe kauzë maqedonase, por tentativë për të shpëtuar kokën nga disa individë që bënë keqpërdorimin e pushtetit.
“Këtu nuk ka krizë ndëretnike. Sikur të kishte krizë ndëretnike, edhe protestat do të ishin masovike dhe nga të dyja palët. Shohim protesta nëpër qytetet e Maqedonisë lindore ku marrin pjesë nga 500 deri 1000 protestues. Në Shkup, maksimum pa pasur 5000 protestues. Këtu kanë problem disa individë të cilët tentojnë të mbrojnë veten duke u fshehur pas nacionalizmit. Duke i nënçmuar shqiptarët, tentohet të mbrojnë veten dhe të risin përkrahjen tek elektorati i tyre. Nuk njeh historia që ndonjë politikan që është marrë me nacionalizëm, shoqërinë ta ketë shtyrë përpara. Përkundrazi, shoqëritë e tyre i kanë çuar në humnerë. Në histori, politika nacionaliste është bërë për të mbrojtur interesat personale e jo për të mbrojtur interesat e komunitetit”, shtoi Bejta, transmeton Flaka.
Duhet, shtoi Bejta, që patjetër liderët të respektojnë vullnetin e shumicës së deputetëve, ligjet dhe kushtetutën.
“Duhet të bëhet zgjedhja e kryetarit të parlamentit i cili do të jetë shqiptar, të formohet sa më shpejt qeveria e cila nuk do të ishte në kundërshtim me vullnetin e shumicës së qytetarëve. Duhet të mësohemi që të respektojmë vullnetin e shumicës”, deklaroi Bejta duke folur për tejkalimin e krizës së krijuar, sipas tij, artificiale në Maqedoni.
“Presidenti Ivanov ka presion edhe nga ndërkombëtarët që të rishqyrton vendimin e tij dhe të ja jap mandatin liderit të opozitës, Zoran Zaev. Pas formimit të qeverisë, urgjentisht duhet të punohet që drejtësia të vije në vend dhe të miratohen reformat e rekomanduara nga ndërkombëtarët dhe të intensifikohen bisedimet për inkuadrim në NATO dhe BE, atje ku e kemi vendin. Për ndryshe, nëse nuk jemi gati të plotësojmë standardet e perëndimit, nuk kemi të drejtë të drejtohemi për mbështetje nga institucionet evropiane dhe pro-perëndimore. Ne duhet të marrim vlerat pozitive nga ata dhe të bëhemi pjesë e familjes ku respektohet drejtësia, liria dhe barazia”, shtoi mes tjerash nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim – BDI, Nevzat Bejta në intervistën për televizionin publik shqiptar – TVSH, që do të transmetohet brenda javës që vjen.

