Bandat kriminale shqiptare po përdorin rrjetin social “TikTok” për të reklamuar kalime ilegale drejt Britanisë së Madhe me çmime shumë të ulëta, duke ofruar vende në gomone për vetëm 150 paund.
Sipas raportimeve të mediave britanike, persona të dyshuar si trafikantë njerëzish kanë hapur llogari në TikTok, ku targetojnë emigrantë që kërkojnë të kalojnë Kanalin e La Manshit drejt Anglisë.
“The Telegraph” shkruan se çmimet e publikuara janë deri në 90% më të ulëta se tarifat e zakonshme, të cilat variojnë nga 1,500 deri në 2,000 paund për person.
Një nga postimet, i publikuar më 18 prill në një llogari me emrin “nisje_rrug”, shfaqte itinerarin nga Sangatte në veri të Francës drejt Dover-it në Britani. Në përshkrim shkruhej: “Shqiptarë, kemi nisje për në Angli me gomone çdo ditë. Çmim shumë i lirë.”
Postimi shoqërohej me hashtagë si “Albanian in London” dhe “Albanian in England”, si edhe me flamujt shqiptarë dhe britanikë. Një tjetër reklamë e publikuar më 22 prill përsëriste të njëjtën ofertë për kalime me gomone drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Autoritetet britanike kanë shprehur dyshime mbi këto oferta, duke argumentuar se çmimet janë shumë të ulëta për të mbuluar kostot e gomoneve dhe motorëve. Sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA), ekziston mundësia që këto postime të jenë mashtrime për të përfituar para nga emigrantët.
Megjithatë, ekspertët nuk përjashtojnë mundësinë që grupet kriminale të synojnë rikthimin e emigrantëve shqiptarë në këtë rrugë të paligjshme, pas rënies drastike të numrit të kalimeve. Në vitin 2022 mbi 12,700 shqiptarë kaluan Kanalin e La Manshit me gomone, por pas marrëveshjes mes Londrës dhe Tiranës për deportimet, shifrat ranë ndjeshëm, shkruan “The Telegraph”.
Raporti thekson se kalimet ilegale kanë rënë me 36% gjatë këtij viti, pasi trafikantët po hasin vështirësi në sigurimin e motorëve të fuqishëm për gomonet, për shkak të goditjeve nga agjencitë ligjzbatuese. Kjo ka bërë që bandat të përdorin pajisje më të dobëta, duke rritur rrezikun për jetën e emigrantëve.
Një gazetar shqiptar, i cili u shtir si emigrant i interesuar për kalimin, kontaktoi me administratorët e llogarisë në TikTok. Sipas bisedës së publikuar, një anëtar i grupit kriminal i ofroi fillimisht çmimin 150 paund për person, madje duke shtuar se tarifa mund të ulej deri në 130 paund.
Kur gazetari e pyeti nëse bëhej fjalë për 150 apo 1,500 paund, trafikanti konfirmoi se çmimi ishte vetëm 150 paund për person.
Çmimet për kalimet përmes Kanalit të La Manshit kanë ndryshuar ndjeshëm që nga viti 2018, kur u regjistruan rastet e para të emigrantëve që përdornin këtë rrugë. Në vitin 2022 ato zbritën deri në 500 paund për person, ndërsa vetëm pak muaj më parë bandat kërkonin deri në 5,000 paund.
Ndërkohë, TikTok deklaroi se llogaria ishte bllokuar për shkelje të rregullave të komunitetit. Platforma theksoi se ndalon çdo përmbajtje që promovon trafikimin apo kontrabandimin e njerëzve.


