Nëse studentët më parë i futeshin internetit për të marrë informacione për Universitete amerikane, në panairin e edukimit i mbajtur në Shkup ata kishin përballë këto institucione. Shumë studentë nga shkollat e mesme e deri tek ato të larta patën mundësi të njihen me procedurat, mënyrën e aplikimit dhe gjitha këshillat e nevojshme për të studiuar në SHBA.
Duke pyetur pranë stendave, studentët e interesuar thanë se kanë ardhur këtu për të parë mundësitë se si të shkojnë në Amerikë. I pranishëm në Panair ishte edhe ambasadori i Amerikës ne Maqedoni Xhes Bejli i cili i inkurajoi të rinjtë që të interesohen për mundësitë që ju vijnë dhe të bëhen qytetar te botës.
“Unë personalisht e fillova karrierën diplomatike duke filluar me një grup shkëmbimi në shkollën e lartë e cila hapi botën dhe horizontin tim dhe mendoj që të marrësh një edukim përtej kufijve mund të hap botën, jo vetëm për mundësitë e edukimit por edhe eksperienca të ndryshme që mund të përjetoni. Kjo do t’ju bëj qytetar të botës dhe e gjitha kjo është shumë e rëndësishme në këtë shoqëri globaliste që jemi tani dhe shpresoj shumë që studentët e talentuar në gjithë Maqedoninë t’i kapin këto mundësi”, tha Xhes Bejli.
Panairi i edukimit u organizua me mbështetjen e ambasadës së Amerikës dhe këndeve amerikanë në Maqedoni, ndërsa procedurat e aplikimit studentët që kanë marrë këshillat dhe informacionet e nevojshme, do të duhet ti nisin nga muaji shtator.