Presidenti i Republikes Bajram Begaj nis sot konsultimet me partitë poltike në funksion të Dekretit që do të miratojë për vendosjen përfundimtare të datës së mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.
Sipas burimeve mësohet se fillimisht Begaj do presë në takim kreun e PR, PBDNJ, PDIU, LZHK, ndërsa të enjten do të presë përfaqësues nga PL, ndersa bisedimet me dy partitë kryesore, PS dhe PD, kreu i Shtetit do t’i zhvilloje më 25 nëntor.
Për mediat, Partia Lëvizja e Legalitetit (PLL) konfirmoi pjesëmarrjen në takimin e kërkuar nga Kryetari i Shtetit, z. Bajram Bega, me partitë parlamentare, i cili do të zhvillohet sot, më datë 20 nëntor 2024, ora 12:30.
“Ky takim këshillimor ka për qëllim diskutimin mbi caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025. PLL do të përfaqësohet nga Kryetari i Partisë, z. Shpëtim Axhami.
Ndër të tjera, PLL do të kërkojë që data e zgjedhjeve të caktohet në respekt të plotë të afateve kushtetuese dhe të shqyrtohet mundësia e shpalljes së saj pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me hapjen e listave”, theksoi Partia Lëvizja e Legalitetit.
Më herët është raportuar se zgjedhjet parlamentare mund të mbahen mes dy të dielat e para të majit, 4 ose 11 maj.
Gjithsesi këto janë thjesht supozime, pasi përcaktimi i datës së zgjedhjeve është kompetencë e Presidentit të Republikës, i cili pas konsultimeve me aktorët kryesorë politikë në vend, dekreton edhe datën e zgjedhjeve.
Nga praktikat e mëparshme, caktimi i datës së zgjedhjeve është bërë me dakordësinë e palëve, ku Presidenti konsultohet për dy data të mundshme, që i parashtrohen përfaqësuesve të partive politike.
Në deklaratat publike, Partia Demokratike nuk ka shprehur ndonjë datë të preferuar se kur mund të mbahen zgjedhjet, ndërsa kreu i saj, Sali Berisha ka deklaruar se zgjedhjet të mbahen sa më shpejt të jetë e mundur.
Përgjithësisht zgjedhjet parlamentare në Shqipëri janë mbajtur në muajt maj-qershor, me përjashtim të dy zgjedhjeve të para pluraliste që janë mbajtur në 31 mars 1991 dhe 22 mars 1992, dhe një rasti në 2005-ën, kur procesi u zhvillua në 3 korrik.