Bashkimi Evropian mbetet i interesuar dhe përkushtuar në integrimet evropiane të Maqedonisë. Kështu kanë deklaruar sot ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar dhe ai i Italisë, Karlo Romeo, gjatë hapjes së ekspozitës “Një Evropë gjithnjë më e bashkuar” me rastin e përvjetorit të nënshkrimit të Traktateve të Romës. Zhbogar deklaroi se BE mbetet e hapur për ato vende që respektojnë vlerat evropiane dhe përkushtimin për promovimin e tyre. Ai ka shtuar se BE mbështet të drejtat e njeriut, bashkëpunim ndërkombëtar, funksionimin e sundimit të së drejtës, luftën kundër të gjitha pabarazive në edukim, demokraci dhe të drejtat e njeriut.
“Shumica më e madhe e qytetarëve e pranojnë dhe vlerësojnë kyçjen tonë. Një pjesë e madhe e qytetarëve e shohin ardhmërinë e tyre në familjen e BE-së. Kjo jo vetëm që na inkurajon, por edhe na detyron që të flasim zëshëm dhe të jemi të qartë për atë se cilat janë rrugët që na çojnë drejt partneritetit më të afërt dhe në fund drejt anëtarësimit”, ka thwnw Samuel Zhbogar, Ambasador I BE-së në Shkup.
Ndërkohë, ambasadori italian, Karlo Romeo, tha se Italia punon në mënyrë të vazhdueshme për integrimet evropiane të rajonit ballkanik, por që të ndodh një gjë e tillë duhet përpjekje nga të dyja palët.
“Nevojitet përkushtim i qartë, duhet të ketë rezultate të dukshme në përpjekjet për reforma në vend dhe rajon, posaçërsiht në fushën e sundimit të së drejtës dhe demokraci. Në këtë kontekst, i ashtuquajturi procesi i Ballkanit Perëndimor apo procesi i Berlinit është mundësi konkrete për të përforcuar procesin e integrimit evropian për tërë rajonin”, ka deklaruar Karlo Romeo, Ambasador i Italisë në Shkup.
Ai ka shtuar se bëhet fjalë për një proces për të cilin nevojitet bashkëpunim dhe durim sepse mund të jetë një proces i gjatë.

