Ndërsa Maqedonia dhe rajoni regjistrojnë çdo vit shifra më të ulta të popullsisë, e kundërta ndodh me vendet e Bashkimit Evropian, ku rritja e popullsia cilësohet si e qëndrueshme, me një milion më shumë banorë. Në një raport të fundit të Zyrës Evropiane të Statistikave, lëvizjet demografike të viteve të fundit, janë tregues pozitivë për një pjesë të mirë të vendeve, si Gjermania, Franca apo Spanja si vende me rritje absolute të popullsisë, ndërsa anëtarë të tjerë, si Bullgaria, Kroacia, Rumania, apo Polonia kanë regjistruar tkurrjen më të madhe të popullsisë, shkruan gazeta KOHA.
Më shqetësuese lëvizjet demografike janë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Maqedonia, në fillim të vitit të kaluar numëronte rreth katër mijë banorë më pak sesa në 2024, ose -2 banorë më pak në 1000 banorë sesa një vit më parë. Analiza e Eurostat tregon se gjatë periudhës 20 vjeçare (2000-2025) Maqedonia u tkurr me mbi 210 mijë banorë. Që do të thotë se – 102 banorë më pak në 1000 banorë. Mesatarja e BE-së për këtë tregues lëviz në shifra pozitive, rreth +5.2 për 1,000 banorë, që nënkupton se në të njëjtin vit në BE janë shtuar më shumë se 5 veta për 1000 persona. Me ndryshimet demografike, mosha mesatare e popullsisë në BE ka shkruar deri në 44.9, ndërsa në Maqedoni është vetëm 41.5.
‘Gjatë periudhës 20-vjeçare, 2005 -2025, popullsia totale e BE-së u rrit nga 435 milionë në 451 milionë, një rritje prej 4 për qind. Rritjet më të mëdha relative u regjistruan në Luksemburg (48 për qind ), e ndjekur nga Malta (43 për qind ), Qipro (34 për qind ) dhe Irlanda (32 për qind ), ndërsa uljet më të mëdha relative u vunë re në Letoni (-17 për qind ), Bullgari (-16 për qind ), Lituani (-14 për qind ), Rumani (-11 për qind ) dhe Kroaci (-10 për qind ). Rritjet më të mëdha absolute u regjistruan në Francë dhe Spanjë (të dyja 6 milionë), ndërsa uljet më të mëdha absolute u vunë re në Rumani dhe Poloni (të dyja -2 milionë) dhe Bullgari (-1 milion)”, thuhet në raport.
Sipas të dhënave zyrtare të vendit, viti 2024 u mbyll me bilanc natyror të popullsisë negativ si në zonat urbane (-3,132 persona) ashtu edhe në ato rurale (-1,008 persona). Pjesa më e madhe e lindjeve është regjistruar në zonat urbane, ku janë lindur mbi 9.700 fëmijë, ose mbi 60 për qind e totalit. Në nivel rajonal, Rajoni i Shkupit ka pasur pjesëmarrjen më të madhe në lindje me mbi 40 për qind, ndërsa Rajoni Lindor më të voglën me më pak se 6 për qind.
“Në tremujorin e katërt të vitit 2025, Maqedonia e Veriut ka regjistruar një shtesë natyrore negative të popullsisë prej -956 personash, që tregon se numri i të lindurve ka qenë më i vogël se numri i të vdekurve. Gjatë këtij periudhe janë lindur mbi 3.000 fëmijë, që përbën një ulje prej 2,5 për qind, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2024. Në aspektin demografik, janë regjistruar 2.310 martesa, që paraqet një ulje prej 4.8 për qind krahasuar me vitin e kaluar…Në përgjithësi, të gjitha treguesit kryesorë demografikë tregojnë një tendencë të rënies, ndërsa shtesa natyrore mbetet negative gjatë kësaj periudhe”, thuhet në analizën e Entit Shtetëror të Statistikave.


