Bazë e mirë për zgjidhjen e kontestit mes Shkupit e Sofjes. Kështu e vlerësoi kryeministri, Zoran Zaev propozimin e Portugalisë për zhbllokimin e çeljes së negociatave me BE-në. Pas takimit me eurokomesarin për Zgjerim, Varheji dhe shefin e diplomacisë portugeze, Silva Zaev edhe një herë bëri të qartë se nuk negociohet për çështjet e identitetit maqedonas.
– Advertisements –
Me seriozitet dhe përgjegjshmëri do t’i shqyrtojmë të gjitha detajet e zgjidhjes së propozuar. Propozimi është bazë e mirë për arritjen e zgjidhjes së problemit, zgjidhje me të cilën do të menjanohen pengesat dhe do të hapen negociatat. Është veçanërisht e rëndësishme që me këtë propozim për zgjidhje në asnjë mënyrë nuk preken çështjet e identitetit tonë maqedonas, me çka pozicioni ynë kyç është respektuar dhe jemi të bindur se është bazë e mirë edhe për pozicionin kyç të Bullgarisë”- deklaroi Zoran Zaev, Kryeministër.
Silva thotë se takimi me të dyja palët do ta ndihmojë BE-në të realizojë planin e saj për zgjerim.
Këto biseda të drejtpërdrejta janë gjithnjë të rëndësishme, por janë jashtëzakonisht të rëndësishme për diplomacinë. Kishim një sesion të plotë pune dhe si presidencë ne tani i kuptojmë më mirë pozicionet, interesat dhe idetë e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe pa dyshim kjo do të na ndihmojë në kryerjen e detyrës sonë si presidencë.”- pohoi Augusto Silva, Ministër i Jashtëm i Portugalisë.
Nga ana tjetër, lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski i kërkoi BE-së të mbajë premtimin për fillim të negociatave, gjë që sipas tij, e meritojnë qytetarët.
Negociatat të fillojnë menjëherë. Negociatat duhet të fillojnë që nesër kurse Bashkimi Evropian duhet ta përmbushë premtimin që ja ka dhënë këtij populli, ja ka dhënë Maqedonisë se menjëherë pas përmbushjeve të kushteve me të cilat Zoran Zaev na nënçmoi si popull, si komb dhe si shtet, ta fillojmë rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE. Këto negociata nuk janë për Zoran Zaevin. Këto negociata janë për qytetarët e vendit tonë të bukur”- tha Hristijan Mickoski, VMRO-DPMNE.
Nevoja për ndërmjetësim nga Brukseli vjen si pasojë e përpjekjeve të dështuara të dy palëve për të zhbllokuar fillimin e negociatave mes vendit e BE-së edhe përskaj vendimit pozitiv të Këshillit Evropian në mars të vitit të kaluar.
Anesa SaliHu