Kreu i BDI-së Ali Ahmeti në një deklaratë të dhënë para pak çastesh është shprehur tejet pesimist sa i përket zgjidhjes së krizës politike. Ahmeti me këtë rast ka deklaruar se nuk sheh dritë në fund të tunelit. Ndërkohë derisa ka komentuar kërcënimet e Nikolla Gruevskit, Ahmeti është shprehur decid se problemet nuk zgjidhen me kërcënime. Ndërkohë që ka deklaruar se nuk do të tërheq ministrat e tij nga qeveria aktuale, nën arsyetimin se kjo nuk do të kontribuoj në zgjidhjen ngërçit politik.
Vendimi i BDI-së që ministrat e saj të mbeten në qeverinë e VMRO-DPMNE-së vjen një ditë pasi mediumet informuan për një takim të bashkëpunëtorit të afërt të Ahmetit, Musa Xhaferi me zv/kryeministrin Nikolla Todorov nga radhët e VMRO-DPMNE-së. Nuk dihet nëse vendimi i BDI-së për të mbetur në qeverinë e VMRO-DPMNE-së është dakorduar në takimin Xhaferi –Todorov. Në ndërkohë deputetët e BDI-së pa sukses po mundohen ta bindin opinionin se partia e tyre është pjesë e një shumice të re, kurse VMRO është në opozitë.