Partia Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar lidhur me anulimin e përsëritur të procedurave të prokurimit për angazhimin e kompanive për rrënimin e objekteve pa leje në Komunën e Çairit. Sipas kësaj partie, procedurat për rrënime shpallen, shtyhen dhe anulohen në mënyrë të vazhdueshme, ndërkohë që, siç thuhet, ndërtesat shumëkatëshe pa leje dhe pa kushte të nevojshme infrastrukturore vazhdojnë të mbeten në terren, transmeton Portalb.mk.
“Dje, përsëri, u anulua procedura e prokurimit për angazhimin e një kompanie për rrënime. Kjo është një praktikë që po përsëritet. Procedurat shpallen, shtyhen dhe anulohen, ndërkohë që ndërtesat shumëkatëshe pa leje pa parkingje mbeten në këmbë. Kjo krijon një situatë ku reagimi institucional ekziston vetëm në letër, ndërsa në terren ndërtimet vazhdojnë pa pengesë”, thonë nga BDI.
BDI thekson se mungon reagimi efektiv institucional, duke shtuar se kontrolli në fazat fillestare të ndërtimit është i pamjaftueshëm. Në reagim thuhet se mungesa e inspektimeve të rregullta dhe veprimeve në kohë e bën të vështirë ndërhyrjen e mëvonshme.
Sipas partisë, kjo situatë ka pasoja për qytetarët, përfshirë mbingarkesën urbane, rrezikun për sigurinë dhe degradimin e hapësirave publike.
BDI shpreh gjithashtu kritika ndaj kryetarit të Komunës së Çairit, duke e akuzuar për mosveprim dhe përkeqësim të gjendjes urbane në këtë zonë.
“Në të njëjtën kohë, mungon kontrolli në fazën kur ndërtimet duhet të ndalen. Pa inspektim të vazhdueshëm dhe pa veprim në kohë, çdo ndërhyrje e mëvonshme mbetet e paefektshme. Kjo mënyrë veprimi po prodhon pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët: mbingarkesë urbane, rrezik për sigurinë dhe degradim të hapësirës publike. Kryetari i Komunës po vazhdon të sponzorizojë mafinë urbanë duke rënduar jetën e qytetarëve të Çairit për deri sa vetë vazhdon jeton jashtë Çairit”, thonë nga BDI.
Kujtojmë se ish-kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska në fund të mandatit të saj ishte në “gjueti të ndërtimeve pa leje” në Komunën e Çairit, duke i dokumentuar ato dhe duke i publikuar në profilin e saj në Facebook përmes video-mesazheve. Ajo madje kërkoi ndihmë edhe nga faktori ndërkombëtar.


