Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësimin dhe indinjatën e qytetarëve lidhur me vendimin diskriminues të Qeverisë për zvogëlim të numrit të këshilltarëve, duke dëmtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë komunat ku pjesë e konsiderueshme e popullsisë janë shqiptarë.
Që në javën e parë të mandatit të saj, kjo qeveri ndërmori një veprim të paligjshëm dhe antikushtetues, duke ndryshuar në mënyrë të njëanshme metodologjinë e përllogaritjes së përqindjes së popullsisë, përmes përjashtimit të banorëve “jo-rezidentë”, që në praktikë nënkupton përjashtimin e mërgatës shqiptare. Si rezultat, përqindja e shqiptarëve në vend u ul artificialisht nga 29.5%, sipas regjistrimit të vitit 2021, në 24.3% – një përqindje madje më e ulët se ajo e regjistrimit të vitit 2002, kur shqiptarët përbënin 25.17% të popullsisë.
Ky manipulim i qëllimshëm statistikor u përdor menjëherë në formulën e balancuesit, duke zvogëluar shqiptarët hiç më pak se 5,2%, e më pas për të deformuar përfaqësimin e shqiptarëve në më shumë se 20 komuna, përmes zvogëlimit të numrit të këshilltarëve në këto njësi të vetëqeverisjes lokale. Ky vendim përbën shkelje të drejtpërdrejtë të nenit 34 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, ku qartë thuhet se numri i këshilltarëve përcaktohet në bazë të numrit të banorëve – dhe jo në bazë të statusit të tyre si “rezident” apo “jo-rezident”.
Vendimi në fjalë është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, si dhe me parimet themelore të përfaqësimit të barabartë dhe të drejtës për pjesëmarrje. Për këtë arsye, ne iniciuam procedurë për vlerësim kushtetues dhe Gjykata Kushtetuese tashmë ka marrë vendim, duke konstatuar se institucionet në vend nuk mund të shpërfillin qytetarët jorezidentë dhe bie ndesh me frymën e barazisë dhe gjithëpërfshirjes që garanton Kushtetuta.
Megjithatë, edhe pas këtij vendimi të qartë nga Gjykata Kushtetuese, Qeveria ende nuk ka ndërmarrë hapa për të shfuqizuar vendimin e saj diskriminues dhe për të rikthyer të drejtën legjitime të komunave për përfaqësim proporcional. Përpjekjet për ta futur këtë diskriminim edhe në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dështuan për shkak të mungesës së shumicës së dyfisht (shumicës së Badenterit), por vullneti politik për ta imponuar këtë padrejtësi mbetet i dukshëm.
Në këtë drejtim, BDI kërkon që Qeveria të shfuqizojë menjëherë vendimin antikushtetues, të rikthehet numri i këshilltarëve sipas të dhënave reale të regjistrimit dhe në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ligjin. Tani është koha kur një veprim i tillë mund të ndërmerret për të parandaluar pasoja të rënda mbi legjitimitetin e zgjedhjeve lokale që po afrohen.
Nëse Qeveria nuk e korrigjon këtë padrejtësi, atëherë përgjegjësia do të bie mbi të gjithë ata që, me heshtjen ose bashkëpunimin e tyre, legjitimojnë diskriminimin institucional ndaj qytetarëve dhe përjashtimin e mërgatës nga jeta publike.
Në të kundërt, ne si subjekt politik do të jemi të detyruar të ndjekim të gjitha rrugët ligjore dhe institucionale për anulimin e këtij vendimi dhe për mbrojtjen e të drejtave legjitime të komunave shqiptare dhe qytetarëve tanë, kudo që jetojnë.