Partitë në pushtet nuk po merren vesh për zgjedhjen e ministrit të ri të Shëndetësisë duke rrezikuar prishjen e koalicionit qeveritar. Lidhja socialdemokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim janë bashkuar në përpjekjet për t’ia marrë resorin e shëndetësisë Aleancës për Shqiptarët. BDI ka kërcënuar se kurrë nuk do ta votojë kandidatin e Aleancës për ministër të shëndetësisë, ndërsa LSDM po shikon të përfitojë nga grindjet mes partive shqiptare dhe shpreson se mund të bëjë ndërrim resorësh me Aleancën.
Një deputet i LSDM, i cili nuk dëshiron të flet publikisht për raportet brenda qeverisë, ka deklaruar për Almakos se ASH nuk del nga koalicioni edhe nëse nuk e merr Ministrinë e Shëndetësisë, por shton se nëse diçka e tillë ndodh, LSDM-ja dhe BDI-ja i kanë 61 votat e nevojshme për të mos lejuar të bie qeveria.
“Aleanca për Shqiptarët nuk del nga Qeveria edhe të ia kërkojmë këtë gjë me pushkë. E vërtet është se BDI-ja nuk e përkrah kandidatin e ASH, megjithatë ne as BDI-së nuk duam të ia japim këtë ministri, andaj ekziston mundësia që ta mbajmë për vete dhe partive të koalicionit t’u japim ndonjë post tjetër. Megjithatë duhet parë kjo punë, prandaj po bisedojmë, sepse nëse ne e mbajmë për vete këtë ministri duhet të dimë se kë do të vendosim aty. Po, ne i kemi 61 vota.”
Artan Grubi, deputeti i partisë që ka krijuar këtë nyje politike, i thotë “ Tung” zgjidhjes së kësaj çështje, dukë mos komentuar as zgjidhjen e mundshme dhe as qëndrimin e LSDM-së dhe faktori ndërkombëtarë të cilët kanë theksuar se BDI-ja po tenton të prishë përbërjen Qeveritare.
“Almakos: Fakti që nuk e mbështesni kandidatin e ASH për Ministrinë e Shëndetësisë rrezikon përbërjen Qeveritare. Si do të ia lidhni kokën kësaj pune, pasi sipas LSDM-së dhe faktorit ndërkombëtarë ky është një tentim për të prishur përbërjen qeveritare.
Grubi: Tung
Almakos: Me tung do ta zgjidhni?!”
Nga Aleanca për Shqiptarët kërkojnë respektim të marrëveshjes për formimin e shumicës parlamentare dhe shtojnë se askush nuk e ka luksin të krijojë ngërç politik brenda koalicionit qeverisës, duke iu referuar kështu politikës që po zbaton partneri i tyre shqiptarë në qeveri.
“Vlerësojmë se marrëveshja për formimin e shumicës së re parlametare, duhet respektuar ashtu siç është, sepse askush nuk e ka luksin të krijojë ngërç politik brenda koalicionit qeverisës, në momentin kur qytetarët dhe faktori ndërkombëtar, pret progres politik nga Qeveria reformatore në implementimin dhe shelljen e ligjeve që kanë të bëjnë më funksionimin e shtetit të së drejtës”- thotë Flakron Bexheti, zëdhënës i ASH.
Kryeministri Zaev më 12 dhjetor paralajmëroi se do të zhvillonte takim me partnerët e koalicionit ku shpresonte të arrihej zgjidhje, por takimi nuk u realizua. I njëjti sipas informacioneve që ka siguruar Almakos, pritet të mbahet sonte, por edhe ky nuk është i sigurtë duke qenë se kryetari i ASH ndodhet në SHBA, nga ku pritet të kthehet gjatë fundjavës.
Ministria e Shëndetësisë iu dha Aleancës për Shqiptarët, por mbeti pa drejtues kur i pari i kësaj ministrie, Arben Taravari, kandidoi për kryetarë komunë në Gostivarë, ku edhe doli fitues.
Përgatiti: Evi Shkopi
Montimi: Evi Shkopi