Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar pas vendimit që tetë shqiptarë në Komisionet sektoriale të Kornizës Nacionale për Kualifikim (KNK), të zëvendësohen me tetë maqedonas.
Më poshtë mund ta lexoni të plotë reagimin e BDI-së.
Demokracia dhe barazia etnike janë parimet themelore mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë. Me shqetësim të madh, ne në Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) dënojmë vendimin e fundit të Ministrit të Arsimit për të zëvendësuar përfaqësuesit shqiptarë në komisione të ndryshme me përfaqësues maqedonas. Ky veprim është një shenjë e qartë e diskriminimit etnik dhe përjashtimit të shqiptarëve nga pozitat kyçe të vendimmarrjes.
Ja disa nga zëvendësimet e fundit që reflektojnë këtë praktikë diskriminuese:
Xhemile Idrizi u zëvendësua me Keti Kostovska
Xhuliana Zairi u zëvendësua me Georgi Pandeliev
Sokol Ahmeti u zëvendësua me Verica Paunovska
Laura Cana u zëvendësua me Slavica Mircevska
Liridona Bushi u zëvendësua me Daniela Graorska
Sadete Ramadani u zëvendësua me Biljana Trajkovska
Nuran Kadriu u zëvendësua me Anastasia Trajkovska
Abaz Fetishi u zëvendësua me Rajne Velinovska
Përjashtimi i plotë i përfaqësuesve shqiptarë nga këto komisione tregon jo vetëm një akt të qartë të diskriminimit etnik, por edhe dështimin e përfaqësuesve ilegjitimë shqiptarë në qeveri për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e shqiptarëve në vend. Kjo është një goditje e rëndë për barazinë dhe përfaqësimin e drejtë të komunitetit tonë në institucionet shtetërore.
BDI do të ndërmarrë të gjitha masat politike dhe ligjore për të sfiduar këtë vendim të padrejtë dhe për të siguruar rikthimin e përfaqësimit të drejtë dhe proporcional të shqiptarëve, siç parashikohet nga Kushtetuta dhe Marrëveshja e Ohrit. Ftojmë në arsye që të ndërprehet urgjentisht kjo praktikë diskriminuese.