Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar me tone të ashpra ndaj ish-anëtarit të saj, Izet Mexhiti, duke e cilësuar atë si përfitues të strukturës së partisë për më shumë se dy dekada, për interesa personale dhe familjare. Në një deklaratë të publikuar sot, BDI thekson se partia nuk do të bëhet kurrë strehë për “klane, nepotizëm, korrupsion dhe shërbëtorë të projekteve antishqiptare”.
“BDI ka lindur nga gjaku i UÇK-së dhe është ndërtuar mbi vlerat e sakrificës, përkushtimit dhe përfaqësimit të denjë të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”, thuhet në reagim, ndërsa Mexhiti akuzohet se ka devijuar ideologjikisht dhe ka dështuar të kalojë procesin e vetingut për shkak të përfshirjes në afera korruptive.
Partia e konsideron si “gënjeshtër të ulët” deklaratën e Mexhitit se i është ofruar rikthimi në parti me pretendime për të trashëguar udhëheqjen nga Ali Ahmeti, ndërsa përfundon se “vlerat e Izet Mexhitit nuk janë dhe nuk mund të jenë kurrë vlerat tona”.