BDI reagoi ndaj kryerjes së një riti fetar mbi automjete zyrtare të policisë në ambientet e MPB-së, duke e cilësuar veprimin si shkelje të parimit të shtetit sekular. Sipas BDI-së, përdorimi i hapësirave dhe mjeteve shtetërore për rituale të një feje krijon përjashtim dhe cenon barazinë etnike e fetare. Partia kërkon sqarim për autorizimin dhe bazën ligjore të veprimit, si dhe përgjegjësi institucionale për zyrtarët përgjegjës. BDI thekson se policia duhet të jetë neutrale dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa identifikim fetar transmeton Portalb.mk.
“Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësim të thellë dhe reagon fuqishëm ndaj fotografive të publikuara nga ambientet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku shihet kryerja e një riti fetar të një konfesioni mbi automjete zyrtare policore. Kjo nuk është “traditë”. Kjo është shkelje e hapur e parimit të shtetit sekular. Riti nuk është kryer në hapësirë private apo objekt fetar, por në oborrin e policisë, mbi mjete zyrtare të shtetit, brenda një institucioni të sigurisë publike. Një veprim i tillë është plotësisht i papranueshëm në një shtet që me Kushtetutë është sekular dhe me realitet multietnik e multikonfesional”, thonë nga BDI.
Ata shtojnë se Policia e Republikës së Maqedonisë së Veriut është institucion shtetëror që duhet t’u shërbejë të gjithë qytetarëve njësoj, pa dallim etnie dhe besimi.
“Ajo nuk i përket asnjë feje dhe nuk guxon të krijojë perceptimin se ekziston fe dominante apo “fe zyrtare” brenda institucioneve të shtetit. Kur hapësirat dhe mjetet shtetërore përdoren për rituale të vetëm një konfesioni, mesazhi për të tjerët është përjashtues dhe i rrezikshëm: se institucionet publike identifikohen me një religjion, duke nënvlerësuar dhe përjashtuar të tjerët. Kjo nuk është simbolikë e pafajshme, kjo është institucionalizim i fesë dhe shkelje e drejtpërdrejtë e Kushtetutës”, thuhet në reagimin e BDI-së.
BDI kërkon:
- Sqarim të menjëhershëm publik se kush e ka autorizuar këtë veprim, mbi çfarë baze ligjore dhe me çfarë qëllimi;
- Përgjegjësi institucionale për çdo zyrtar që ka lejuar ose nuk ka parandaluar përdorimin e hapësirave dhe mjeteve shtetërore për rituale fetare.
Fotografitë, të cilat janë përhapur në rrjetet sociale ditët e fundit, kanë shkaktuar reagime të në publik. Në to shfaqet një prift duke kryer një ritual fetar dhe duke shenjtëruar automjete zyrtare në oborrin e Ministrisë së Brendshme, me praninë edhe të zyrtarëve të policisë.


