Naser PAJAZITI
Pse po hahen mes veti këto partitë që përdorin standarde të dyfishta në raport me BDI, me fjalë e luftojnë, me vepra ja mbajnë zhagin në pushtet.
A e keni të qartë se po i vjen era zgjedhje dhe Qeveria s’mbahet me zor, por edhe të mbahet ajo i ka ditët e muajt e numëruara me gishta.
Ju nuk keni lënë shteg për të bashkëvepru, sepse a po e shihni se çfarë pasqyre të gërditshme keni krijuar në opinion?!
Derisa ju sot gjuheshit me fjalë e gurë mes veti, oponentët e juaj sot flisnin me delikatesë dhe finesa duke u thirrur në kauza të mëdha, fronte evropiane.
A e dini se e keni ulur nivelin e politikbërjes, keni bastarduar debatin politik dhe keni fraza boshe kundrejt BDI.
Edhe para një jave kam alarmuar se me dinamizimin dhe tensionimin e zhvillimeve politike, nuk përjashtohet aspak që Ali Ahmeti të rikthejë bashkëpartiakët e tij të “zjarrtë”, duke e njohur se gjithmonë ka ditur të tejkaloj çdo situatë të tillë, edhe kur kishte viktima.
Fjalët i merr era, por veprat dhe veprimet bëjnë lojën dhe misionin.
BDI rrëzohet atëherë kur të gjithë këta të bëheshin bashkë, por tani siç akceptohet kësaj pune i ka vdekë nona. Si ithtarë dhe promovues të këtij uniteti në disa raste jemi dukur idealistë por edhe injorantë, duke mos i ditur prapaskenat dhe djallëzit e atyre që kërcyen pusetat duke veshur kostumet e politikanëve me mandat nga populli.
Ndalni këtë luftë militanteske, sepse ka prioritete dhe nevoja tjera, për këtë popull 20%, që njerëz të pafajshëm po rrinë burgjeve nga procese të montuara, shtëpitë po zbrazen, se jeta është bërë e rëndë për ta mbijetuar dhe shumë e shumë nevoja tjera..