Sot publikojmë informacione të reja, si vazhdim i komunikatave të kaluara që lidhen me drejtorin e NOMAGAS-it, Nedim Rama. Ajo që prezantojmë sot hap pyetje serioze dhe paraqet bazë që institucionet kompetente të veprojnë dhe të hetojnë prejardhjen e kapitalit dhe pasurisë.
Bëhet fjalë për kompaninë LINE LTD DOO Shkup, e cila është në pronësi të Nedim Ramës dhe donatorit partiak të VLEN-it, Anid Shazivari. Kompania është e regjistruar për dhënie me qira të automjeteve dhe gjendet në listën zyrtare të kompanive rent-a-car në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit.
E pyesim Nedim Ramën: me çfarë kapitali dhe nga cilat burime janë siguruar mjetet për blerjen e këtyre automjeteve dhe sa është vlera e tyre?
Për më tepër, përmes së njëjtës strukturë biznesi jepen me qira edhe apartamente luksoze në Mavrovë. BDI ka kryer kontroll në të dhënat e Kadastrës dhe sipas informacioneve të disponueshme, dy apartamente lidhen me Nedim Ramën – njëri është në pronësi të tij personale, ndërsa tjetri në pronësi të LINE LTD DOO Shkup.
Në njërën nga fletët pronësore si bashkëpronar paraqitet edhe Lirim Hajredini, me pjesë ideale prej gjysmës së pronës bashkë me Nedim Ramën.
Të nderuar,
Ngrihen pyetje legjitime: si është e mundur që një funksionar shtetëror të disponojë kapital për një flotë automjetesh për kompani rent-a-car dhe me prona të paluajtshme me vlerë të lartë? Nga cilat burime janë siguruar mjetet për këto investime?
Hapet edhe një çështje politike: a qëndron pas kësaj rritjeje të shpejtë të kapitalit dhe aktiviteteve afariste një rrjet më i gjerë politik-biznesor i afërt me Izet Mexhitin? Opinioni ka të drejtë të dijë nëse Nedim Rama vepron si individ apo është pjesë e një rrethi më të gjerë ndikimi dhe interesash.
Prandaj i bëjmë thirrje Drejtorisë së Policisë Financiare, Prokurorisë Themelore Publike dhe Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit që menjëherë të kryejnë një kontroll të detajuar të prejardhjes së kapitalit, rrjedhave financiare dhe gjendjes së përgjithshme pasurore.
Qytetarët kanë të drejtë për përgjigje. Transparenca nuk guxon të jetë selektive, sidomos kur bëhet fjalë për funksionarë publikë. Duhet të ketë përgjegjësi për çdo denar, për çdo investim dhe për çdo pasuri që del në opinionin publik.


