Sekretari i përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Arbër Ademi, akuzoi të hënën koalicionin VLEN se gjatë dy viteve në pushtet ka dështuar plotësisht në mbrojtjen e parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në institucionet shtetërore. Në një konferencë për media, ai tha se VLEN fitoi mbështetjen e qytetarëve me premtimin se do ta rriste përfaqësimin e shqiptarëve në administratë në të paktën 31.5 për qind, por sipas tij, sot realiteti është krejtësisht i kundërt.
“VLEN kërkoi votën e shqiptarëve duke premtuar se do ta çonte përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në një nivel më të lartë. Premtuan se shqiptarët do të përfaqësoheshin me të paktën 31.5% në institucionet shtetërore. Sot, pas dy vitesh në pushtet, rezultati është diametralisht i kundërt. Premtuan avancim, sollën kthim prapa. Premtuan ndryshim, sollën zhgënjim. Premtuan revolucion politik, sollën regres politik. Le t’i rikujtojmë faktet, një nga një”, deklaroi Ademi.
Sipas tij, goditja e parë ndaj përfaqësimit të shqiptarëve u bë menjëherë pas formimit të qeverisë së re, përmes ndryshimit të metodologjisë për evidentimin e të punësuarve në sektorin publik.
“Që në javën e parë të formimit të kësaj qeverie pa legjitimitet etnik, u ndërmor goditja e parë ndaj përfaqësimit të shqiptarëve. Përmes ndryshimeve në metodologjinë e të punësuarve në sektorin publik, shqiptarët u zvogëluan statistikisht nga 29.5% në 24.3%. Ky ishte sinjali i parë se premtimet e VLEN-it nuk kishin asnjë lidhje me realitetin”, tha ai.
Ademi vlerësoi se shfuqizimi i mekanizmit të Balancuesit nuk ishte një proces i rastësishëm, por pjesë e një plani të paralajmëruar politik.
“Shfuqizimi i mekanizmit të Balancuesit nuk ishte një rastësi. Ai ishte premtim i VMRO-DPMNE-së në programin e saj parazgjedhor, më pas u përfshi edhe në Programin e Qeverisë, program të cilin VLEN e votoi dhe e mbështeti pa asnjë rezervë. Më pas, Gjykata Kushtetuese, si institucion që po vepron në funksion të agjendës politike të kësaj shumice, e shfuqizoi Balancuesin. Pra, nuk kemi të bëjmë me një zhvillim të rastësishëm. Kemi të bëjmë me një plan politik të paralajmëruar, të miratuar dhe të realizuar hap pas hapi. Pas shfuqizimit të Balancuesit filloi menjëherë ajo që sot e shohim çdo ditë: përjashtimi institucional i shqiptarëve nga punësimet në administratën shtetërore. Qytetarët po shohin konkurse me zero shqiptarë të punësuar. Kjo është e vërteta”, u shpreh sekretari i përgjithshëm i BDI-së.
Ai kritikoi edhe projektligjin për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, duke pretenduar se ai nuk garanton mbrojtjen e këtij parimi kushtetues.
“Nga premtimi për 31.5%, përfunduam te konkurse me 0% shqiptarë. Në vend që të rikthenin një mekanizëm më të fortë mbrojtës, VLEN solli një projektligj që nuk mbron përfaqësimin e drejtë dhe adekuat. Përkundrazi. Është një ligj i ndërtuar mbi konceptin që prej vitesh e promovon doktrina nacionaliste dhe Karakamisheva: cilësia, e jo etnia, respektivisht parimi i ‘cilësisë’ në vend të përfaqësimit etnik, duke minuar një nga arritjet më të rëndësishme të Marrëveshjes së Ohrit. Me këtë propozimligj nuk parashihen kuota etnike, sanksione juridike e as identifikimi i etnisë nga institucionet për kandidatët. Nuk parashihen kurrfarë garancie. Prandaj ky propozimligj nuk e forcon përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, por e shkatërron atë”, deklaroi Ademi.
Duke iu referuar pretendimeve të drejtuesve të VLEN-it për realizimin e 2.500 punësimeve dhe avancimeve, Ademi kërkoi që këto të dhëna të bëhen publike.
“Ndërkohë, për të mbuluar këtë dështim, drejtuesit e VLEN-it pretendojnë se kanë realizuar 2.500 punësime dhe avancime. Pyetja është shumë e thjeshtë: Ku janë këto 2.500 punësime? Në cilat institucione? Në cilat konkurse? Sepse statistikat zyrtare nuk e mbështesin këtë pretendim. Madje vetë kryeministri deklaron se punësimet bëhen sipas nevojave dhe kompetencave, duke dëshmuar se filozofia e kësaj qeverie nuk është forcimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, por zëvendësimi gradual i tij me një koncept tjetër”, tha ai.
Në përfundim, sekretari i përgjithshëm i BDI-së tha se bilanci i dy viteve të qeverisjes është në kundërshtim me premtimet e dhëna para zgjedhjeve.
“Ky është dallimi mes premtimeve dhe realitetit. Premtuan 31.5%. Sot shqiptarët përballen me konkurse pa asnjë shqiptar të punësuar. Premtuan mbrojtje të të drejtave kolektive. Sot kanë mbetur pa Balancues. Premtuan forcim të përfaqësimit. Sot kanë propozuar një ligj që e minon atë. Ky është bilanci i tyre pas dy vitesh. Premtuan më shumë përfaqësim. Sollën më pak shqiptarë në institucione. Premtuan ndryshim. Sollën kthim mbrapa”, përfundoi Ademi.


