BDI reagon përmes një komunikate duke theksuar se deklarata e kryeministrit Hristijan Mickoski në Kuvend, lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe, përbën një nga momentet më shqetësuese në diskursin politik që nga nënshkrimi i Marrëveshjes Paqësore të Ohrit.
“Pretendimi se gjuha shqipe mund të përdoret “sa të doni”, por se gjuha zyrtare është vetëm maqedonishtja, nuk është thjesht një deklaratë politike, është një rikthim i drejtpërdrejtë në logjikën e Kushtetutës së vitit 1991, dhe nenin e dikurshëm 7 të saj
duke injoruar Amendamentin V të vitit 2001, i cili është themel i rendit kushtetues dhe i balancës ndëretnike në vend. Ky qëndrim cenon thelbin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila nuk është kompromis simbolik, por arkitekturë reale e bashkëjetesës, e ndërtuar për të kapërcyer pikërisht burimet e konfliktit që prodhoi Kushtetuta e vitit 1991.
Relativizimi i statusit të gjuhës shqipe nuk është çështje interpretimi, por hapje e një rruge të rrezikshme që prek drejtpërdrejt marrëdhëniet ndëretnike dhe funkcionalitetin e demokracisë sonë multietnike”, reagon BDI.
Më tej thuhet se kjo qasje përfaqëson një kthim prapa dhe një tentativë për revizion të arritjeve themelore të shtetit, të frymëzuar nga logjika që janë në kundërshtim me konceptin e një shteti multi-etnik dhe demokratik.
“I bëjmë thirrje Kryeministrit që të tërhiqet menjëherë nga kjo qasje dhe të respektojë në mënyrë të plotë rendin kushtetues të dalë nga Marrëveshja e Ohrit. Çdo devijim nga ky rend nuk është vetëm gabim politik, është goditje ndaj vetë themeleve të bashkëjetesës dhe funksionalitetit të shtetit” thekson Bashkimi Demokratik për Integrim.(INA)


