Deklaratat e fundit të Hristijan Mickoskit, i cili nuk e përjashton mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare pas zgjedhjeve lokale, janë tregues se lideri i VMRO-DPMNE-së është i gatshëm për një matje të re elektorale. Por problemi nuk qëndron te ai, problemi është te aleatët e tij shqiptarë të VLEN-it, të cilët po bëjnë gjithçka për t’i shmangur zgjedhjet.
Prandaj, ndërsa Mickoski flet hapur për mundësinë e zgjedhjeve, VLEN përpiqet t’i shmangë ato me arsyetime të mjera për “shpenzime shtesë” dhe “nevojë për stabilitet”. U kujtojmë se shpenzimet e zgjedhjeve janë shumë më të vogla se dëmi që ata i kanë shkaktuar shtetit me degradimin, me kontrata fiktive dhe me shitjen e pronës publike.
E vërteta është ndryshe: VLEN frikësohet nga zgjedhjet, sepse e di që çdo votë shqiptare do të jetë votë kundër tyre. Në vend që të përgatiten për llogaridhënie, ata fshihen pas padronit të tyre politik, duke e ditur se pa VMRO-në nuk kanë as votë, as zë dhe as forcë.
Frika e tyre nuk është nga zgjedhjet, është nga populli. Sepse populli ua ka lexuar realitetin politik: tradhti, servilizëm dhe nënçmim.
BDI e thotë qartë: ne kërkojmë zgjedhje dhe i mirëpresim ato në çdo moment. Zgjedhjet janë matësi më i drejtë i vullnetit të popullit dhe mënyra më demokratike për të testuar besimin. Ata që frikësohen, janë ata që e dinë se e kanë humbur atë besim.
VLEN po i lutet padronit të mos ketë zgjedhje. Ne po i kërkojmë popullit të flasë me votë.
Dallimi është i qartë: ata luten për pushtet, ne punojmë për dinjitet.