Reagime të shumta para mbajtjes së seancës së Gjykatës Kushtetuese, kur të mërkurën në rend të ditës do të jetë debati për dispozitat e Ligjit për gjuhët. Udhëheqësia e ngushtë e BDI-së mbrëmë mbajti takim ku është vlerësuar se këto veprime janë pjesë e fushatës së orkestruar të Qeverisë jolegjitime dhe paraqet kërcënim serioz për stabilitetin e shtetit. Ata dërguan letër deri te SHBA-të, BE-ja dhe NATO, me të cilën i bëjnë thirrje që të ndërmarrin aksion për, siç thuhet, të parandaluar groposjen e paqes dhe destabilizimin e vendit.
“Më 11 dhjetor, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut pritet të shqyrtojë iniciativat që vënë në pikëpyetje kushtetutshmërinë e dispozitave kryesore të Ligjit për Gjuhët. Ekzistojnë shqetësime të besueshme se Gjykata mund të shfuqizojë deri në tetë dispozita, duke rrezikuar integritetin e ligjit dhe duke minuar vetë themelet e Marrëveshjes së Ohrit. Një vendim i tillë do të prishte vitet e progresit, duke vënë në rrezik harmoninë ndëretnike dhe duke destabilizuar ekuilibrin e brishtë që ka mbajtur vendin të bashkuar”, thotë BDI.
Në të njëjtën kohë, një grup prej 250 intelektualëve shqiptarë u nënshkruan në letrën që e dërguan deri te gjykatësit kushtetues në të cilën theksohet se puna e deritanishme e Gjykatës Kushtetuese po shkakton tensione dhe paknaqësi çdoherë kur sjellin vendim të njëanshme dhe arbitrare që do të shkaktojnë tensione ndëretnike.
“Nga sa kemi pasur rastin të dëgjojmë nga Ju, të nderuar Gjyqtarë, si dhe nga disa përfaqësues të lartë politikë (si, për shembull, deklaratat e Kryeministrit Mickovski, i cili pohon se do të abrogohen vetëm dy-tre nene të ligjit në fjalë), kemi arsye të dyshojmë se mund të bëheni pjesë e realizimit të një skenari me motive politike, që ka për qëllim pikërisht atë që po deklarohet haptas në nivelin më të lartë shtetëror”, thonë Bashkësia Shqiptare Akademike.
Zv.kryeministri i parë i Qeverisë, Izet Mexhiti dje tha se Ligji i gjuhëve buron nga Marrëveshja e Ohrit dhe kushdo që do ta prek këtë marrëveshje ndikon në raportet ndëretnike. Nga ana tjetër Kryeministri Mickoski theksoi se do të debatohet vetëm për 2 deri në 3 nene, ndërsa shtoi se gjykatësit aktual kushtetues janë zgjedhur nga LSDM dhe BDI dhe nuk e ka të qartë se si tani po i kritikojnë ata që i kanë zgjedhur. Për seancën që do të mbahet të mërkurën, gjykatësit kushtetues që i përkasin bashkësisë etnike shqiptare, Osman Kadriu dhe Naser Ajdari paralajmëruan se do të bojkotojnë seancën, me çka është i pasigurt epilogu, për shkak se siç deklaroi kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, vendimi duhet të sillet me pjesëmarrjen e të gjithë 9 anëtarëve.