Rasti i fundit i ndërhyrjes policore për dyshime për falsifikim dokumentesh dhe manipulim me tenderë publikë në Çair kërkon sqarim të plotë dhe përgjegjësi të qartë thonë nga Bashkimi Demokratik për Integrim, ku sipas tyre dyshimet janë se Prokuroria dhe Policia po mundohen të fshehin aksionin e djeshëm kundër tre personave të përfshirë në falsifikim diplomash dhe dokumente tjera.
MARKETING
Reagimi i plotë i BDI-së:
Rasti i fundit i ndërhyrjes policore për dyshime për falsifikim dokumentesh dhe manipulim me tenderë publikë në Çair kërkon sqarim të plotë dhe përgjegjësi të qartë.
Fakti që një drejtues i një institucioni publik për fëmijë ( çerdhe) është përfshirë në këtë procedurë është në vetvete shqetësues dhe ngre pyetje serioze për mënyrën e funksionimit të institucioneve në nivel lokal.
Megjithatë, sipas raportimeve mediatike dhe informacioneve të publikuara, në këtë rast si person kyç përmendet edhe personi me inicialet B.H., i njohur si bashkëpunëtor i afërt i kryetarit të Komunës së Çairit, si dhe funksionar në një institucion publik universitar.
Nëse këto informacione janë të sakta, atëherë kemi të bëjmë me një çështje që tejkalon përgjegjësinë individuale dhe prek drejtpërdrejt përgjegjësinë politike.
Në këtë kontekst, kryetari i Komunës së Çairit duhet të sqarojë publikisht:
– Cila është marrëdhënia e tij me personin me inicialet B.H.?
– A ka pasur ndonjë rol apo ndikim në procedurat që po zhvillohen?
Në të njëjtën kohë, mënyra se si është komunikuar rasti nga institucionet ngre dilema serioze.
Raportimet fillestare dhe dëshmitë nga vendi i ngjarjes flasin për përfshirje të më shumë personave, përfshirë edhe B.H., ndërsa në komunikimet zyrtare përmendet vetëm një individ.
Kjo mospërputhje kërkon sqarim të menjëhershëm nga organet kompetente.
Prandaj, kërkojmë:
– Prokuroria të konfirmojë nëse personi me inicialet B.H. është përfshirë në këtë rast dhe cili është statusi i tij
– të publikohet në mënyrë transparente përfshirja e të gjithë personave në procedurë
– të garantohet se hetimi zhvillohet pa ndikime dhe pa selektivitet
Njëkohësisht, shtrojmë publikisht edhe disa pyetje për institucionet e rendit dhe drejtësisë:
– Si është e mundur që në fazën fillestare të aksionit janë përmendur më shumë persona, përfshirë edhe B.H., ndërsa në komunikimet zyrtare të mëvonshme ky emër nuk figuron?
– A e konfirmon MPB nëse personi me inicialet B.H. ka qenë objekt i veprimeve policore – kontroll, shoqërim apo marrje në pyetje?
– Nëse po, pse ky fakt nuk është reflektuar në raportin zyrtar?
– Si e shpjegojnë institucionet mospërputhjen mes dëshmive nga vendi i ngjarjes dhe versionit final të publikuar?
– A mund të garantohet se në këtë rast nuk ka trajtim selektiv?
Institucionet e drejtësisë kanë detyrim të veprojnë me transparencë të plotë dhe trajtim të barabartë për të gjithë.
Çdo shmangie nga këto parime e dëmton besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe e vë në pikëpyetje integritetin e procesit.


