Daut Sulejmani
BDI dal ngadalë po vetëdijesohet se nuk ka më përkrahje te shqiptarët. Pas “bombave” të El Chekës ku i dëgjuam “politikanët e urtë” që aktrojnë para popullit, se si shajnë të gjallë e të vdekur larg syve të opinionit, kjo parti po e kupton se koha e saj ka perënduar.
Shpresat e vetme të BDI-së tani kanë mbetur anketat e maqedonasve. Edhe ato të VMRO-DPMNE-së edhe ato të LSDM-së, BDI-në me ngulm e nxjerrin fituese edhe pse në të kaluarën i kanë huqur tërësisht rezultatet te trupi votues shqiptar. BDI pastaj lëshon në “teren” mediumet e veta që të trumbetojnë se as opozita e bashkuar nuk do të mund ta mposhtë këtë parti. Skenar i mjerë dhe mjaft i tejdukshëm.
Gjatë kohë nuk e kam pasur të qartë se pse BDI-në e favorizojnë anketat e instituteve të afërta me dy partitë maqedonase. Është e kuptueshme pse e favorizojnë anketat e instituteve të afërta me partinë që është në koalicion me BDI-në, por ishte e paqartë pse e favorizojnë edhe anketat e instituteve të afërta me partinë maqedonase që është në opozitë (njëkohësisht të dy palët bëjnë gabimet gati të njëjta). Personalisht kam menduar se bëhet fjalë për gabime të paqëllimshme të tyre. Mirëpo duke analizuar saktësinë solide me të cilën parashikojnë rezultatet te votuesit maqedonas, është e qartë se gabimet e rezultateve te trupi votues shqiptar nuk janë të rastësishme, por kanë tendencë.
Tendencë e tyre është të bindin sa më shumë shqiptarët se BDI do të fitojë edhe një herë, prandaj është mirë ta përkrahni këtë parti. Është një strategji për të mbajtur të gjallë partinë e preferuar të maqedonasve, mirëpo shqiptarët tashmë e kanë kuptuar këtë lojë.
Është shumë e qartë se pa marë parasysh luftën që zhvillojnë mes veti VMRO-ja dhe LSDM-ja, ata preferojnë që kur të vijnë në pushtet ta kenë partner partinë e Ahmetit. Edhe LSDM edhe VMRO e dinë se nuk mund të gjejnë shërbëtor më besnik se BDI-ja, e cila sa më shumë vota që fiton te shqiptarët, aq më shumë i shërben interesit të maqedonasve. Këtë e ka dëshmuar kjo parti sa herë në të kaluarën, e më së shumti pas zgjedhjeve të vitit 2014 kur fitoi 163 mijë vota shqiptare, por pas të cilave zgjedhje të akuzuarit e Monstrës u dënuan me dënim të përjetshëm, kurse më pas ndodhi edhe tradhtia e madhe në Kumanovë.
Në fund të bëj një përmbledhje të poentës time në këtë koment: ne shqiptarët e kemi të qartë se pse maqedonasit mundohen ta mbajnë gjallë BDI-në me çdo kusht, por edhe maqedonasit duhet të na kuptojnë neve shqiptarëve pse nuk e duam më BDI-në. Së paku jo kështu siç është. Nëse reformohet në të ardhmen ndoshta edhe mund të rikthehet. Mirëpo fillimisht le ta dëshmojë veten në opozitë. Shansin që ia a kemi dhënë kësaj partie 18 vite me radhë të dëshmojë veten në pushtet, nuk diti ta shfrytëzojë. Më vjen keq, por ky është realiteti!