Bashkimit Demokratik për Integrim sot përfundon fushatën zgjedhore për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale me aktivitete gjatë gjithë ditës në komunën e Çairit në përkrahje të kandidatit për kryetar të kësaj komune Visar Ganiut.
Sipas njoftimit të BDI-së, në orën 13:30, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti do të mbajë një bashkëbisedim me gazetarët në Shkup. Do të vazhdojë aktivitetet me vizitën e familjeve në lagjen Dizhon dhe takim me kryefamiljarë në restorant “Festina”.
Pasdite në orën 17:30 Ahmeti do të takojë rininë në Çifte Amam në Çarshi, ndërsa më pas në orën 18:15 do të mbajë një takim me strukturën e partisë në sheshin Skënderbeu.
BDI-ja do të përfundojë fushatën zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në orën 19:00 me Akademi në Universitetin Nënë Tereza.
Gjatë vijimit të fushatës lideri Ahmeti ka vizituar të gjitha komunat ku BDI garon me kandidatët e vet në mënyrë që të bashkëbisedojë me qytetarët e komunave përkatëse për t’i siguruar ata se ai personalisht, bashkë me gjithë BDI-në dhe pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ qëndrojnë prapa programeve të kandidatëve të BDI-së.