Koment nga Almakos
Tetova është qyteti ku së pari herë shëtiti kali i bardhë i demokratizimit të shoqërisë shqiptare në Maqedoni. Tetova është qyteti i shpresës dhe i revoltës shqiptare. Ky qytet është kryeqendra që barti mbi shpinë barrën më të rëndë, gjatë rrugëtimit të shqiptarëve të Maqedonisë drejt arsimimit të tyre në gjuhën amtare. Tetova ishte dhe mbeti djepi ku rriten e lartësohen shumë vlera që ka shqiptaria e Maqedonisë.
Dhe një Tetovë të tillë, gjatë thuajse tri dekadave të shkuara, e drejtuan të zgjedhurit e shumë partive shqiptare. Pra atë e drejtuan mbarë e mbrapshtë, herë duke ia ruajtur dinjitetin e qytetit të dy universiteteve, e herë duke e çuar atë të turpërohet nga ata që e drejtonin. Por megjithatë, asnjë parti nuk e solli Tetovën aty ku e solli BDI-ja si dhe, asnjë drejtues partiak nuk guxoi këtij qyteti t’ia bëjë atë që ia bëri Ali Ahmeti: që ta merr atë si plaçkë partiake dhe t’ia dorëzojë Zaevit dhe LSDM-së.
Tetova ishte dhe mbeti selia e thuajse gjitha partive shqiptare. Dhe si e tillë, ajo ishte dhe mbeti ‘fabrika’ ku u prodhuan dhe prodhohen gjitha politikat e shqiptarëve të Maqedonisë. Por, edhe si e tillë, ajo me asgjë nuk është fajtore pse politikat e partive shqiptare degraduan aq sa ‘debatet’ mes drejtuesve partiak të jenë nën nivelin e grindjeve të grave në tregun e ‘vejushave’. E ku nuk mund ta kuptosh se çka e bashkon Thaçin me ‘të inkriminuarin në shumë krime’, siç e vlerëson ai në një intervistë
të tij Ali Ahmetin, apo drejtuesit e BDI-së me ‘Taçi malboron’, siç e quanin aktivistët e kësaj partie drejtuesin e PDSH’së.
Po Tetova e sotme, me asgjë nuk është fajtore pse BDI-ja , si ta kishte pronë të saj, atë donë t’ia dorëzojë LSDM-së, kryetari i së cilës, Zaevi tani mburshëm fotografohet me të zgjedhurit e vet, që i mbulon me emblemën e kësaj partie shqiptare. Pra Tetova me asgjë nuk është fajtore pse ndodhi e paimagjinueshmja: që ‘trimat’ e BDI-së, me në krye ‘komandant’ Ali Ahmetin, të tremben nga Zaevi dhe atij t’ia dorëzojnë të gjitha ‘kështjellat’ shqiptare, si të ishin pronë pa pronar.
Po pra, Tetova ishte dhe mbeti Piemonti politik e kulturorë i shqiptarëve të Maqedonisë. Dhe si e tillë, asaj edhe sot i bie në hise barra më e rëndë, për ta mbrojtur nderin e shqiptarëve të Maqedonisë: të dëshmojë se ajo mund t’i del zot vetvetes, pa ndihmën e Zeevit dhe se ajo nuk është pronë e BDI-së, e kësaj partie që nuk ia doli ta mbrojë as nderin e drejtuesve të vet, e le më atë të shqiptarëve të Maqedonisë. Dhe si e tillë, Tetova e 29 tetorit, duhet t’i përgjigjet qartë BDI-së: se ajo nuk mund t’ia jep Zaevit Tetovën, pa i pyetur tetovarët. Dhe tetovarët duhet t’ia përcjellin Ali Ahmetit porosinë se kurrë nuk do harrohet se ai ia dorëzoi shqiptarinë e Maqedonisë VMRO-DPMNE’së, vetëm që ta shpëtojë vetveten nga ‘Dosjet e Hagës’ si dhe për përfitime personale të krerëve të BDI-së, e ndërkaq, Zaevit ia dorëzoi gjitha komunat shqiptare, vetëm që shokët e vet t’i shpëtojë nga ‘dosjet e krimit’ si dhe, vetveten nga e pashmangshmja: nga ‘vdekja’ e turpshme politike.
Po pra, shihet qartë se BDI-ja, Tetovën ia ka dorëzuar Zaevit. Dhe si hero i porsalindur shqiptar, Zaevi bënë atë që ia mundësuam ne shqiptarët: shkon nga vendbanimi në vendbanim, ku në mënyrë të tërthortë, shqiptarëve ua bënë me dije se nëse nuk do votojnë për shqiptarët e tij, të mbuluar me emblemën e BDI-së, atëherë qeveria që drejton ai, nuk do i përkrahë komunat e tyre. Pra një njëfarë mënyre, Zaevi hapur i shantazhon shqiptarët e Maqedonisë, përfshi këtu erdhe tetovarët dhe sa nuk u thotë: o votoni shqiptarët e mi me emblemën e BDI-së, o do vazhdoni të mbeteni të etur pa ujë, e të ngulfatur nga ajri helmues. E në ndërkohë, shqiptarëve dhe tetovarëve, u kanë mbetur dy zgjidhje: ose t’i nënshtrohen shantazhit, e të votojnë për kandidatët e Zaevit, të mbuluar me emblemën e BDI-së, ose atij t’ia thonë atë që e thotë një nga ‘besatarët’ e rinj, Emad Mehmeti: “Faqja e Teutës të cilën e puthë Zaevi, kurrë nuk ka qenë, e nuk do jetë, pjesë e fytyrës së Tetovës!”/Almakos.com

