Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë ndaj deklaratave dhe veprimeve të Ministrit të Drejtësisë, z.Igor Fillkov, i cili me qasjen e tij të fundit po e barazon gjuhën shqipe me zero në institucionet e shtetit.
Përpjekja për ta përjashtuar shqipen nga provimi i jurisprudencës, për ta minuar përdorimin e saj dhe për ta trajtuar si çështje të mbyllur, nuk është vetëm shkelje e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, por është goditje e drejtpërdrejtë ndaj Marrëveshjes së Ohrit dhe rendit kushtetues të vendit.
Gjuha shqipe është kategori kushtetuese, është kategori ligjore, e drejtë e fituar me sakrificë dhe themel i barazisë mbi të cilën qëndron shteti multietnik. Çdo tentativë për ta zbehur apo për ta përjashtuar atë përbën kthim prapa.
Po aq shqetësuese është heshtja e koalicionit VLEN, i cili në vend se të mbrojë të drejtat e qytetarëve shqiptarë, zgjedh të bëjë spektatorin
përballë një tendence të rrezikshme për zhbërjen e standardeve të arritura.


