Fatin e zgjedhjeve lokale LSDM dhe BDI e kanë përcaktuar para mbajtjes së tyre. Marrëveshja për koalicion ka parashikuar bashkimin e votës përkundër kandidaturave të rreme për kryetar komunash, shkruan Almakos.
Rezultatet e zgjedhjeve në Strugë dhe në Haraçinë në rrethin e parë të zgjedhjeve dhe në Dollnen për rrethin e dytë të zgjedhjeve, zbulon këtë marrëveshje ndërmjet partnerëve të koalicionit. Në këto komuna ka ndodhur një situatë e pazakontë, votuesit e një partie votojnë për kandidatin e palës kundërshtare.
Në rrethin e parë të zgjedhjeve në Strugë deri në momentin e fundit në balotazh duhej të shkonin Zijadin Sela dhe kandidati i LSDM, dhe vetëm pak çaste pas mbylljes së vendvotimeve ndodhi përmbysja e rezultatit. Opozita akuzoi se LSDM dhe BDI qëllimisht kanë shpallur të pavlefshme votat e kandidatit maqedon, që në balotazh të shkojnë Zijadin Sela nga opozita shqiptare me Ramiz Merkon e BDI.
Në Haraçinë BDI ka votuar kandidaten e LSDM edhe pse në garë formalisht ka pasur kandidatin e vet. Situatë të ngjashme në rrethin e dytë ka ndodhur në Dollnen, kur votuesit e LSDM në balotazh nuk e kanë votuar kandidatin e tyre për kryetar të komunës, por kanë mbështetur kandidatin e BDI.
Në Dollnen, në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale gara është zhvilluar mes LSDM-së, BDI-së, dhe VMRO-së. Partia e kryeministrit Zaev arriti që në rrethin e parë të siguroj 1.763 vota, BDI arriti 2.285, kurse VMRO-ja e Gruevskit morri 1.113 vota.
Nëse shikohen rezultatet zgjedhore i bie që BDI ka marrë më shumë vota se përqindja e popullsisë shqiptare në këtë komunë. Në Dollnen BDI dhe kandidati i saj morri 3.854 vota e cila nuk korrespondon me përqindjen reale etnike të popullsisë. Kjo i bie që një pjesë e LSDM ka votuar kundër kandidatit të tyre.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë të zhvilluar në vitin 2002, në Dollnen jetojnë 13, 568 banorë, prej të cilëve gati 36 për qind maqedonas, 27 për qind shqiptar dhe pjesa tjetër e popullsisë janë turq, boshnjak dhe të tjerë.
Në Strugë, rrethi i parë i zgjedhjeve lokale ishte shumë i nxehtë dhe gara zhvillohej në mes kandidatit të, Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela dhe kandidatit të LSDM-së Vasil Astalkovski.
Atëherë Zijadin Sela morri 9.289 vota, Merko i BDI-së morri 7.916 vota kurse i treti në këtë renditje ishte kandidati i LSDM-së, i cili arriti të marrë 7.140 vota. LSDM jo vetëm që nuk u angazhua që kandidati i tyre të shkonte në balotazh, por ka zëra që thonë se qëllimisht janë shpallur të pavlefshme votat e kandidatit të tyre, duke qenë të sigurte se në këtë mënyrë në balotazh do të fitonte Sela meqë do të mobilizohej vota shqiptare.
Në rrethin e dytë, partia e Ahmetit në bashkëpunim me Lidhjen Social Demokrate arritën ta fitojnë komunën me një rezultat shumë të ngushtë. Kandidati i BDI-së i mbështetur edhe nga LSDM, Ramiz Merko arriti të merr rreth 13.945, vota apo 49.53% të votave kundër Zijadin Selës, i cili mori 13.157 vota apo 46.73% të votave.
Në Strugë rreth 4 për qind e numrit të përgjithshëm të votave, respektivisht më shumë se 1.000 vota kanë rezultuar të pavlefshme, kurse dallimi mes Ramiz Merkos dhe Zijadin Selës është më i vogël se 800 vota. Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në Strugë mbi 60 për qind e popullsisë janë shqiptar, 28 për qind maqedonas dhe të tjerët janë turq.
Në të dy raundet e zgjedhjeve lokale LSDM e kryeministrit, Zoran Zaev, ka fituar gjithsej 58 komuna, BDI mori 10, Aleanca me Besë triumfoi në katër komuna kurse, ndërsa PDSH mori kreun e komunës së Studeniçanit.
Almakos.com
Mevludin Imeri