Bashkimi Demokratik për Integrim tha se nga 21 të punësuar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, të gjithë janë maqedonas dhe asnjë shqiptar. BDI tha se kjo situatë po merr përmasa alarmante duke shkelur rëndë parimet e barazisë dhe përfaqësimit të drejtë.
“Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësimin më të thellë dhe dënon ashpër përjashtimin sistematik dhe të qëllimshëm të shqiptarëve nga institucionet shtetërore në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ky fenomen diskriminues po merr përmasa alarmante dhe përbën shkelje të rëndë të parimeve të barazisë dhe përfaqësimit të drejtë.
Rasti i fundit që e ilustron qartë këtë realitet shqetësues është Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, ku nga gjithsej 21 të punësuar, asnjë nuk është shqiptar. Ky është një institucion publik që vepron me mjete buxhetore të taksapaguesve, përfshirë qytetarët shqiptarë, dhe përjashtimi i plotë i një komuniteti të tërë përbën praktikë të papranueshme dhe të dënueshme.
Ky nuk është rast i izoluar. Ai është pjesë e një politike përjashtuese, që shkon në kundërshtim të drejtpërdrejtë me frymën dhe shkronjën e Marrëveshjes së Ohrit, si dhe me vlerat themelore të integrimit evropian.