Bashkimi Demokratik për Integrim dënon ashpër ndërhyrjen e paprecedent të policisë gjatë festimeve të Ditës së Flamurit Shqiptar, një ditë me rëndësi të jashtëzakonshme për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe në mbarë botën, thuhet në komunikatën e BDI-së.
“Kjo ndërhyrje, në vend që të ruante rendin publik, provokoi tensione të panevojshme dhe krijoi një klimë konfrontimi, duke cenuar të drejtën për të festuar lirshëm këtë ditë simbolike.
Njëkohësisht, dënojmë aktin individual të djegies së flamurit shtetëror, që erdhi si reagim ndaj ndërhyrjes së panevojshme të policisë. Veprime të tilla nuk përfaqësojnë vlerat e shqiptarëve dhe as aspiratat tona për bashkëjetesë të qëndrueshme dhe respekt të ndërsjellë.
Në këtë kontekst, është e papranueshme dhe e turpshme që VMRO-DPMNE dhe forca të tjera politike po përpiqen të shfrytëzojnë këto incidente për të ndërtuar një narrativë të rreme që kriminalizon çdo pozicion shqiptar. Kjo tendencë për të përfaqësuar shqiptarët si mbështetës të agjendave kriminale është një sulm ndaj identitetit dhe dinjitetit tonë kolektiv dhe një përpjekje për të mbuluar agjendën e tyre të korruptuar.
Këto forca politike, që çdo ditë mbajnë vendin jashtë mekanizmave mbikëqyrës të Bashkimit Evropian, po e plaçkitin shtetin dhe qytetarët e tij, duke keqpërdorur institucionet për përfitime personale. Përpjekja për të devijuar vëmendjen nga këto skandale duke kriminalizuar shqiptarët është një taktikë e njohur që nuk do të ketë sukses.
Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë të përkushtuar ndaj vlerave demokratike, barazisë dhe bashkëjetesës ndëretnike. Nuk do të lejojmë që qëndrimet tona legjitime të përdoren si mbulesë për manipulime politike apo për të ruajtur pushtetin e atyre që përfaqësojnë interesat e tyre personale mbi interesat e qytetarëve dhe vendit.
I bëjmë thirrje institucioneve të veprojnë me maturi, profesionalizëm dhe paanshmëri, pa dallim, dhe duke garantuar të drejtën e qytetarëve për të shprehur lirshëm identitetin dhe kulturën e tyre. Në të njëjtën kohë, ftojmë qytetarët shqiptarë dhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut që të ruajnë qetësinë, dinjitetin dhe unitetin, duke mos rënë pre e provokimeve dhe manipulimeve të atyre që synojnë të përçajnë dhe të destabilizojnë vendin.
Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet i përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të shqiptarëve, duke kontribuar në një të ardhme evropiane për Maqedoninë e Veriut, ku drejtësia, transparenca dhe barazia të jenë vlerat themelore të shoqërisë sonë”, qëndron në komunikatën e BDI-së.
Data 18.09.2025
Aktuale
- Osmani i përgjigjet akuzave për bashkëpunim me Levicën: VLEN po arsyetohet për humbjen e 19 tetorit
- Zbulohen 5 parcela me 4639 bimë kanabisi në Shkodër! 3 persona në kërkim, 5 kryepleq e dy banorë nën akuzë
- ASH: Oktopodi i Botës Serbe po mbyt RMV-në, VLEN në shërbim të tij
- Gjeneral Jashari: Kosova duhet të jetë pjesë e plotë e Kartës së Adriatikut
- Dy shqiptarë kapen duke asgjësuar kokainën në tualet! Arrestohen si pjesë e një rrjeti që shiste drogë për turistët
- Milloshoski: Drejtori i “Drisllës” nga radhët e BDI-së është thirrur në bisedë informative
- Toshkovski: Është fakt se ka sulm hibrid ndaj shtetit
- Mickoski: Rruga drejt BE-së është më shumë se ligje, është ndërtimi i institucioneve evropiane