Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj deklaratës së Bekim Qokut, duke e akuzuar liderin de facto të VLEN-it se me qëndrimet e tij po sulmon Marrëveshjen e Ohrit dhe arritjet që, sipas kësaj partie, kanë ndryshuar pozitën kushtetuese, institucionale dhe politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Në reagimin e saj, BDI vlerëson se deklarata e Qokut, sipas së cilës Marrëveshja e Ohrit “nuk është fitore për t’u krenuar”, përbën fyerje ndaj sakrificës së shqiptarëve dhe mohim të një marrëveshjeje që, sipas tyre, garantoi përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, përdorimin e gjuhës shqipe, decentralizimin, parimin e Badenterit dhe fuqizimin e shqiptarëve si faktor vendimmarrës.
Sipas BDI-së, mohimi i Marrëveshjes së Ohrit nënkupton mohim të themeleve mbi të cilat janë ndërtuar këto të drejta.
Partia opozitare më tej pretendon se me këtë qëndrim, Bekim Qoku është vendosur në të njëjtën vijë me VMRO-DPMNE-në dhe qarqet që, sipas saj, kanë deklaruar se Marrëveshjes së Ohrit “i ka skaduar afati”. BDI shton se vetë Qoku, duke e cilësuar VMRO-DPMNE-në si “tmerrësisht të fuqishme”, ka dëshmuar, sipas tyre, pozitën e nënshtruar të VLEN-it në koalicionin qeverisës.
Në fund të reagimit, BDI thekson se shqiptarët kanë arsye të krenohen me Marrëveshjen e Ohrit, ndërsa akuzon VLEN-in se, për të ruajtur pushtetin, po përdor retorikë që, sipas saj, përkon me qëndrimet e kundërshtarëve të kësaj marrëveshjeje.



