Bashkimi Demokratik për Integrim përmes një konference për shtyp ka zyrtarizuar fillimin e fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale. Zëdhënësi i SHQZ-së të BDI-së Arbër Ademi ka thënë se Bashkimi Demokratik për Integrim, në këto zgjedhje del me moton kryesore “BASHKË, PËR KOMUNËN QË DUAM”.
Bashkimi Demokratik për Integrim, që nga sot ka në terren jo vetëm se kandidatët për kryetarë komunash apo këshilltarë, por edhe rreth 15.000 aktivistë, të cilët në çdo vendbanim, do të përcjellin ofertën tonë te secili qytetar, me plane dhe projekte konkrete, për zhvillimin e komunave që duam” ka thënë Ademi. 15 mijë “ushtarë” BDI kishte në teren edhe në zgjedhjet parlamentare të 11 dhjetorit. Duke pasur parasysh se në ato zgjedhje u përgjysmua numri i votave të BDI-së, atëherë ka gjasa që këtë “sukses” ta përsërisë edhe në zgjedhjet e 15 tetorit dhe të përgjysmohen 80 mijë votat e kësaj partie nga zgjedhjet që i fitoi më 11 dhjetor. BDI hyn në këto zgjedhje e përgatitur me një ofertë konkrete dhe ambicioze, me specifika për çdo komunë të veçantë, që do të shtjellohen nga kandidatët tanë në komunikimet e drejtpërdrejta me qytetarët. “Ne gjatë kësaj fushate nuk do të mbajmë tubime të mëdha, për të mbajtur vetëm fjalime para masës së tubuar, por do të zhvillojmë fushatë pro evropiane dhe interaktive, me takime të drejtpërdrejta me qytetarët, shtëpi më shtëpi, nëpër punëtori e biznese, nëpër rrugë e sheshe, të cilat vazhdimisht po ndryshojnë për të mirë” është shprehur Ademi. Sipas Ademit, interes i jashtëzakonshëm i BDI-së dhe kandidatëve të saj, është që kjo fushatë dhe këto zgjedhje, të kalojnë në atmosferë të qetë, korrekte, demokratike dhe festive, që qytetarët tanë të kenë shansin të zgjedhin në mënyrën më të lirë të mundshme kryetarët e komunave dhe këshilltarët që DUAN. Në këtë frymë, një ditë më parë, të gjithë kandidatët tanë nënshkruan në Komisionin Shtetëror Zgjedhor, kodeksin për zgjedhje korrekte.

