Ditën e djeshme Rusia tërhoqi një pjesë të trupave nga kufiri me Ukrainën, ndërsa ditën e sotme njoftoi largimin e trupave ushtarakë nga Krimeja. Por Perëndimi dhe vetë Ukraina janë shprehur skeptikë në lidhje me deklaratat e Rusisë, ku sipas të cilëve mbeten thjeshtë fjalë dhe ata kërkojnë më shumë prova për tu bindur se Moska ka hequr vërtet dorë nga pushtimi i Ukrainës.
Të gjithë jemi të hipnotizuar nga lëvizjet e trupave ruse, duke pyetur vazhdimisht veten se çfarë po ndodh. Dhe në fakt këtë synon drejtori i këtij teatri, Vladimir Putin. Ai dëshiron që ne të hamendësojmë, shkruan BBC
Por, siç ka deklaruar sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, është ende shumë herët për të bërë një vlerësim të situatës dhe për të kuptuar se çfarë në të vërtetë po ndodh.
Një numër i madh i trupave ruse ndodhen ende pranë kufijve të Ukrainës, të renditur në një mënyrë që agjencitë e inteligjencës perëndimore mund ta interpretojnë vetëm kështu: këto forca janë gati për të pushtuar.
Kjo nuk do të thotë se jemi në prag të luftës, pasi Kremlini ka mohuar çdo akuzë se planifikon të sulmojë Ukrainën.
Por Putinit i përshtatet që të gjithë të mendojnë se skena që është krijuar paraqet dramën e vërtetë të betejës.
Të shumta kanë qenë edhe reagimet nga ana e Rusisë, të cilët u janë përgjigjur me ironi paralajmërimeve të SHBA-së dhe Perëndimit se Rusia do të pushtojë Ukrainën me 16 shkurt. Zyrtarët rusë janë tallur me Perëndimin për paralajmërimet se Moska mund të pushtojë Ukrainën më 16 shkurt, duke thënë se data 16 është sot, dhe se vendi ende nuk është pushtuar.