Deponia “Drislla” vazhdon të përbëjë shqetësim për banorët e Batincës në Shkup. Ata thonë se kur deponia djeg ose nuk i mbulon mbeturinat me dhé, në tërë fshatin kundërmon aromë e keqe e për këtë nuk mund t’i ajrosin as shtëpitë e tyre.
“S’mund ta hapësh as dritaren, as derën, ka shumë problem, sidomos pas orës 7 e tutje, është shumë problem i madh. Sot është normal, por është rëndë të jetohet në Batincë, po se ç’do të bëhet në të ardhmen nuk e di”, tha Seliamet Osmani, banor i Batincës.
“Të ju sjellë Zoti këtu në mëngjes, kur ne duhet t’i zgjojmë fëmijët të marrin oksigjen, ajër të pastër, këtu ne i thithim të gjithë ato gazrat, tymin që digjet atje lart në deponinë Drislla, e përshin gjithë fshatin, e kap gjithë këtë anën ku është ura e parë kur vjen nga Draçeva. Kur ta kthejë sërish era prapa në fshat, është totalisht i ndotur dhe është vështirë.
Ne pasojat edhe sot i shohim mirëpo pasojat më të mëdha do të na ngelen në të ardhmen. Ardhmëria jonë, e fëmijëve tanë është këtu shumë e rrezikshme. Unë nuk e di se pse fshatarët janë bërë shurdhë dhe të verbër, që një herë e përgjithmonë t’u thonë “stop”, u shpreh Adem Jusufi, banor i Batincës.
Se banorët ngurojnë të flasin publikisht për deponinë, e vërtetuam në disa raste kur ata i iknin objektivit të kamerës sonë, ndonëse jashtë tij kanë shumë për të na thënë.
“Del ujë i zi, kundërmon helm….”
Por përveç atyre që hezitojnë të dalin para kamerës, në Batincë ka bujq dhe blegtorë për të cilët deponia është shndërruar në brengë. Një prej tyre është edhe Jonuz Muharremi. Ai ka mbi 300 dhen, por çdo ditë ka hall se mos kopeja fillon të kullosë nëpër mbeturina.
“Kemi problem me dhentë kur shkojmë, se munden të hyjnë dhentë atje e të bëjnë dëm. Dëmi është për ne, jo për ata, se pot ë hanë mbeturina mund të na nxjerrin problem, por tash mundohemi t’i ruajmë nga deponia, që mos të hyjnë brenda në deponi. S’kemi çfarë të bëjmë, ajo është aty ndërsa ne nuk na pyet askush si fshatarë, si blegtorë, askush nuk interesohet”, tha Jonuz Muharremi, blegtor.
Përveç kullosave, shqetësim për banorët e Batincës është edhe kjo përroskë e cila rrjedh nga deponia dhe derdhet në lumin e Markovës.
“Më përpara e pija këtë ujë. Vinte shumë ujë dhe me të ujitnim arat. Gjithë këto blloqet këtu janë pas ujitur, vinte si vijë, por ishte i pastër, se buron nga toka”, u shpreh Ibush Memedi, bujk.
Banorët thonë se kjo derdhje që vjen nga deponia, përbën rrezik për kafshët që pinë ujë në lum dhe për fëmijët që verës lahen në të.

