Ministria e Punëve të Brendshme sot ka njoftuar se më datë 08.02.2023, nëpunësit policorë nga Sektori për polici kriminalistike në kuadër BSP-së së MPB-së, Sektorit për krim ekonomik dhe korrupsion, Sektori për krim kompjuterik dhe forenzikë digjitale, SPB Shkup dhe inspektorë nga DAP-i, në bazë të urdhrit paraprak të Gjykatës Themelore Shkup, kanë realizuar bastisje në dy objekte në Shkup, përcjell TV21.
Siç qëndron në njoftim, bastisja ka ardhur pas ekzistimit të dyshimit se është kryer vepër penale “organizim i lojërave të fatit pa licencë, gjegjësisht leje nga organi përkatës”, që parashihet dhe dënohet me nenin 46 të Ligjit për lojërat e fatit.
“Gjatë bastisjes së objekteve janë gjetur dhe marrë 50 laptopë, 351 celularë, 237 SIM kartela, 14 kompjuterë dhe 3 DVR nga kamerat e sigurisë. Gjithashtu, në objekte janë kapur 16 persona, prej të cilëve 11 shtetas të Turqisë, për të cilët është njoftuar Sektori për të huaj, kurse tre persona janë arrestuar, me urdhër të Prokurorisë Publike Themelore Shkup dhe kanë dalë para prokurorit publik”, qëndron më tej në njoftimin e MPB-së.