Maqedonia me 2.5 milionë euro mbështetje nga BE-ja dhe profesionalizëm të FAO-s, gjatë 3 viteve do të zbatojë procesin e konsolidimit të tokës bujqësore përmes projektit “Mainland”, që filloi në mars të vitit 2017, ndërsa do të zgjasë deri në gusht të vitit 2020
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 21 qershor – Bashkimi i tokës në shtetet e Evropës Juglindore duhet të sjellë gjallërim të tregut të shitblerjes së tokës bujqësore, mbështetje për zhvillimin ekonomik lokal, si dhe rritje të prodhimtarisë bujqësore në vendbanimet rurale, shkruan gazeta KOHA.
Kjo ndër të tjerash u theksua në punëtorinë ndërkombëtare treditore kushtuar legjislacionit për konsolidimin e tokës, që filloi të martën në Shkup, e quajtur “Lendnet”, me përkrahjen e Ministrisë së bujqësisë së Maqedonisë dhe Organizatës së OKB-së, për bujqësi, FAO.
“Në Maqedoni përmes projektit në rrjedhë e sipër të financuar nga BE, Mainland, FAO punon tu ndihmojë bujqve si pronarë të tokës dhe komuniteteve rurale, të zgjidhin problemin me copëzimin e tepërt të tokës, hapësirave të vogla të ekonomive bujqësore, dhe infrastrukturës së pazhvilluar sa duhet bujqësore”, thotë Morten Hartvingsen nga FAO.
Sipas tij, përmes ekspertizës adekuate dhe përforcimit të kapaciteteve të Ministrisë së Bujqësisë, agjencive kryesore shtetërore dhe kompanive të gjeodezisë, BE dhe FAO ofrojnë përkrahje për realizimin e ciklit të parë të konsolidimit të tokës në kuadër të Programit kombëtar të konsolidimit apo bashkimit të tokës. Njëherësh projekti ka për qëllim edhe mbështetjen e ekonomive familjare bujqësore,përmirësimin e produktivitetit , konkurrencës së prodhimtarisë bujqësore, si dhe përmirësimit të jetesës në vendbanimet rurale.
Gjithashtu edhe ndryshimet e Ligjit për konsolidimin e tokës që u miratuan në muajin maj të këtij viti në Kuvendin e Maqedonisë, paraqesin një hap të rëndësishëm në drejtim të realizimit transparent dhe efikas të konsolidimit të tokës në terren, në përputhje me principet më të mira ndërkombëtare, sqaroi Hartvingsen.
Sipas ministrit të Bujqësisë, Ljupço Nikollovski, madhësia mesatare prej 1.62 hektarë e 80 për qind të ekonomive bujqësore i rrit harxhimet prodhuese dhe transportuese dhe kufizon zbatimin e teknologjive moderne, që në fund ndikon edhe në konkurrencën e bujqësisë vendore.
“Konsolidimi i tokës, paraqet vetëm hapin e parë në krijimin e fermerëve aktiv sipërmarrës që do të jenë të gatshëm të konkurrojnë me bujqit evropian. Për realizimin me sukses të këtij projekti kompleks jemi të gatshëm të mësojmë dhe pranojmë trendet e reja ndërkombëtare, idetë dhe mënyrat se si të menaxhohet me tokën si resurs kryesor në politikat bujqësore dhe të zhvillimit rural”, theksoi ministri Nikollovski.
Në ndërkohë , shumica e shteteve në rajon kanë probleme me fragmentimin e tokës bujqësore me madhësi mesatare prej vetëm disa hektarë për ekonomi bujqësore, apo për fermë, që ka çuar në rënie të prodhimit bujqësor dhe të pjellorisë së tokës, humbjes së tokës dhe rritjen e kostove të prodhimit. Edhe fqinjët tanë kanë si sfidë të madhe konsolidimin e tokës bujqësore, që synojnë ta arrijnë përmes zgjerimit të sipërfaqes së saj, për shkak se një fermë në rajon posedon vetëm disa hektarë tokë në raport me, rreth 27 hektarë, që është mesatarja në BE. Projektet e ndryshme në Maqedoni dhe shtetet e rajonit si programi kombëtar për konsolidim të tokës apo “Mainland”, i financuar nga BE-ja, ju ndihmon bujqve të vegjël dhe bashkësive rurale lokale që t’i adresojnë problemet strukturore me fragmentimin e tokës bujqësore dhe sipërfaqes së vogël të fermave. Maqedonia me 2.5 milionë euro mbështetje nga BE-ja dhe profesionalizëm të FAO-s, gjatë 3 viteve do të zbatojë procesin e konsolidimit të tokës bujqësore përmes projektit “Mainland”, që filloi në mars të vitit 2017, ndërsa do të zgjasë deri në gusht të vitit 2020. Gjithashtu fillimisht janë zgjedhur edhe 12 zona me potencialin më të lartë dhe nivelet e interesit në konsolidimin e tokës. Konsolidimi i tokës bujqësore, do të zhvillohet përmes këmbimit të parcelave me ose pa ndryshim të formës, deri në ndryshimin e plotë të kufijve të tyre, që të merren sipërfaqe të përshtatshme për prodhimtari. Në mënyrë plotësuese, sipërfaqet e përpunuara do të rriten me investim në sistemet hidromeliorative. Është paralajmëruar edhe aktivizimi i shitblerjes së tokës bujqësore, dhe mbështetja për fitimin e pronësisë, si instrument për të rritur sipërfaqen e tokës dhe për ta bërë atë tërheqëse për investime. (koha.mk)