Kandidati i VLEN-it për Qytetin e Shkupit, Bashkim Bakiu, në një intervistë për PressOnline.al thekson se këtë herë Shkupi do të marrë atë që i takon.
“Sepse Shkupi nuk është vetëm Qendra dhe Karposhi. Shkupi është edhe Çairi, Saraji, Buteli, Gazi Baba, Kisella Voda, Shtip, Orizare, Gjorçe Petrovi, Qendra dhe Karposhi. Të gjitha këto janë pjesë e Shkupit, por le ta themi hapur: shumë lagje të këtij qyteti janë harruar me vite të tëra. Buxhetet gjithmonë më të vogla, investimet gjithmonë më pak, e problemet gjithmonë më shumë”, tha ai.
Ai ka thënë se ka tri prioritete të qarta: E para, kthimi i besimit të shqiptarëve tek Qyteti i Shkupit, sidomos pas periudhës katërvjeçare të Danella Arsovskës. E dyta, transporti publik. Në plan programin tim është Bus Rapid Transit, ku do të lidhen edhe komunat shqiptare me një sistem modern e funksional dhe e treta: bashkëpunimi me Këshillin e ardhshëm, me të cilin planifikojmë shumë projekte konkrete.
Në ndërmarrjet publike, sipas tij, do të ketë profesionistë nga të gjitha komunitetet, njerëz të aftë që do të punojnë për qytetarët pa dallim. ”Shkupi është i të gjithëve dhe shërbimet do të jenë për të gjithë”, tha ai.
“E di shumë mirë që Shkupi ka një problem të madh me pastrimin. Nga Çairi në Saraj, nga Buteli në Karposh, mbeturinat janë bërë turpi i qytetit. Plani im është i qartë, më shumë mjete për pastrim, një sistem raportimi online për qytetarët, dhe zero tolerancë për neglizhencë. Shkupi do të jetë i pastër dhe i denjë për banorët e vet”, thotë tutje Bakiu.
Në pyetjen se çka e dallon nga kandidatët e tjerë ai me përgjigje: Një dallim i madh është ky sepse pas meje qëndron Qeveria VLEN, ministrat dhe resorët tanë janë garancia që projektet për Shkupin do të kenë mbështetje dhe realizim, këtë herë Shkupi nuk do të kërkojë, por do të marrë atë që i takon.
Në mesazhin e tij për qytetarët e Shkupit, Bakiu shton: Unë jam këtu që Shkupit t’ia kthej barazinë, zhvillimin dhe krenarinë. Sepse Shkupi nuk ndahet, Shkupi bashkon. Dhe po, Shkupi VLEN.