BASHKIA TIRANË
KËSHILLI BASHKIAK
V E N D I M
Nr. 102, datë 15.09.2023
“PËR
DHËNIEN E NDIHMËS FINANCIARE NGA BASHKIA E TIRANËS PËR KOMUNËN E PRESHEVËS DHE BASHKINË KHARKIV”
Në mbështetje të nenit 113, pika 2, të Kushtetutës, nenit 8, pika 2, nenit 9, pika 1, nënpika 1.1 shkronja “b”, nenit 20, pika 2, nenit 34, pika 6, nenit 40, pika 6, nenit 53, nenit 54, nenit 55, pikat 2 dhe 6 të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, ligjit nr. 68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, nenit 6, paragrafi 3, të ligjit nr. 9936, datë 26.06.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, ligjit nr. 84/2022 “Për buxhetin e vitit 2023”, ligjit nr. 45/2019 “Për mbrojtjen civile”, vendimit nr. 12, datë 05.02.2020, të Këshillit Bashkiak “Për anëtarësisimin e Bashkisë së Tiranës dhe pagesën e kuotës së anëtarësisë në shoqatën “Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon”, me propozim të një grupi këshilltarësh, Këshilli Bashkiak,
V E N D O S I:
1. Dhënien e ndihmës financiare, nga Bashkia e Tiranës për Komunën e Preshevës, në kuadër të anëtarësimit të përbashkët në Shoqatën “Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon”, për rikonstruksionin e shkollës fillore “Dituria” në vlerën 520.000 euro (ekuivalenti në lekë sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë).
2. Dhënien e ndihmës financiare, nga Bashkia e Tiranës për Bashkinë Kharkiv, në shtetin e Ukrainës, në kuadër të gjendjes së luftës, për rikonstruksionin e një shkolle, në vlerën 250.000 euro (ekuivalenti në lekë sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë).
3. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i pikave 1 dhe 2 të këtij vendimi, do të përballohen duke pakësuar Fondin Rezervë të Bashkisë Tiranë të buxhetit të vitit 2023, në vlerën 84,700,000 (tetëdhjetëekatërmilioneshtatëqindmijë) lekë dhe duke shtuar në të njëjtën vlerë buxhetin e programit Planifikim Menaxhim Administrim të Aparatit të Bashkisë Tiranë në artikullin 605.
4. Ngarkohen Kryetari i Bashkisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Menaxhimit Financiar për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi sipas përcaktimeve të pikës 6 të nenit 55 të ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar.
K R Y E T A R
ROMINA KUKO