17 March
Kisha Ortodokse Maqedonase dhe bashkësitë tjera fetare në Maqedoni ka bërë thirrje për qetësi dhe bashkëjetesë mes qytetarëve, pavarësisht përkatësive etnike apo fetare. Komunitetet fetare gjithashtu kërkojnë nga partitë dhe politikanët që në frymën e respektimit dhe tolerancës të ndërmarrin masa të përbashkëta, të bazuara mbi rregullat legjitime e ligjore të shtetit, me qëllim të tejkalimit të sfidave dhe rreziqeve me të cilat po përballet vendi.
Ky rast është mundësi historike të dëshmojmë se vërtet e duam atdheun tonë të përbashkët – Republikën e Maqedonisë, pa marrë parasysh cilit komb dhe cilit komunitet fetar i takojmë. Duhet ta kemi të qartë se bashkëjetesa e vërtetë arrihet vetëm në paqe, me respektimin e dallimeve dhe të të drejtave të çdo individi, pa cenimin e të drejtave dhe dinjitetit të të tjerëve. Prandaj, si kisha dhe bashkësi fetare, apelojmë për qetësimin e zhvillimeve, për të dëshmuar vullnet të mirë dhe urti në vendimet dhe veprimet si dhe ftojmë në përmbajtje nga veprimet të cilat mund ta rrezikojnë shtetin, por edhe sigurinë e njerëzve dhe të pronave e të familjeve tona. Vetëm të bashkuar dhe unik, me dinjitet do të dëshmojmë para tërë botës se shoqëria multietnike dhe multifetare në të cilën po jetojmë mund të funksionojë e të mbijetojë – thuhet në komunikatën e përbashkët të bashkësive fetare në Maqedoni.