Industria, ndërtimtaria dhe agro biznesi janë në fokusin e forumit ekonomik të Maqedonisë dhe Greqisë që u mbajt sot në Shkup në organizim të Lidhjes së Odave Ekonomike të Maqedoninë nën mbështetjen e Universitetit Kolumbia nga SHBA-ja. Delegacioni i biznesit nga Greqia i kryesuar nga kryetari Kirijakos Lefakis realizoi edhe takime B2B me kompani anëtare të LOE. Në hapjen e forumit kryetarja e LOE, Danella Arsovska theksoi se potencialet për bashkëpunim midis biznesmenëve të të dyja vendeve janë të mëdha dhe treguan për rëndësinë e forumit ekonomik bilateral i cili është rezultat i marrëdhënieve të mira afariste midis organizatave të të dyja vendeve. “LOE i nxit relacionet e mira të biznesit midis ekonomive të të dyja vendeve. Për këtë qëllim, në vitin 2015 për herë të parë nga pavarësimi i Republikës së Maqedonisë, e nënshkruam marrëveshjen e parë bilaterale për bashkëpunim që u mbajt edhe biznes forumi i parë i Greqisë dhe Maqedonisë në Selanik.
Për biznesmenët e të dyja vendeve fqinje potencialet për bashkëpunim janë të mëdha. Biznes forumi i sotëm besojmë se do të japë rezultate konkrete për dakordimin dhe thellimin e partneriteteve të vendosura, shfaqjen në vendet e treta dhe pjesëmarrjen në projekte të përbashkëta”, tha Arsovska. Ministrja e Investimeve të Huaja, Zorica Apostollska e theksoi rëndësinë e zhvillimit të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve dhe shfaqi shpresë se plani qeveritar për rritje ekonomike do të sigurojë përfitime për sektorin e biznesit.
“Besojmë se në këtë mënyrë, plani për zhvillimin ekonomik të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë do të sigurojë mjedis i cili është i volitshëm për funksionimin e biznesit. Dëshiroj të theksoj se Qeveria është udhëhequr prej parimeve të transparencës duke e mbështetur bashkëpunimin midis kompanive vendore dhe të huaja, si dhe mbështetjen e bazuar në rezultatet reale”, tha Apostollska. Sipas kryetarit të Asociacionit internacional grek të biznesit, relacionet midis dy vendeve bëhen më të mira kur epërsi ju jepet marrëdhënieve ekonomike. Greqia është një prej pesë partnerëve më të rëndësishëm të Republikës së Maqedonisë. Investimet më të mëdha janë në sektorin bankar, industrinë e naftës, industrinë e tregtisë dhe të tekstilit. Vitin e kaluar, është realizuar këmbim tregtar në vlerë prej 598 milionë euro, eksporti është 148 milionë euro, ndërsa importi është 450 milionë euro.

