Kreu demokrat Lulzim Basha po zhvillon një takim me 90 investitorë italianë. Ata po bashkëbisedojnë për vizionin dhe politikat ekonomike, që do të ndërmarrin nëse PD fiton zgjedhjet.
“Shumica prej investitorëve kanë ardhur nga Italia me interesin për t’u njohur me propozimin tonë ekonomik për të ardhmen.
Ne jemi të vendosur dhe të përgatitur të kthejmë punën dhe investimet në vend. Fasadat nuk prodhojnë mirëqenie. Fabrikat, hidrocentralet, rrugët, investimet e huaja krijojnë punësim, zhvillim dhe mirëqenie.
Platforma jonë parashikon taksa të thjeshta. Themel është taksa e sheshtë prej 9% për të ardhurat personale, për përfitimin koorporativ dhe 9% për sigurimet shoqërore.
TVSH-ja do të ketë një shkallë të vetme 15%. Tatimi i biznesit të vogël do të jetë 1.5% e xhiros vjetore. Kjo platformë ambicioze, është një platformë e përgjegjshme që nuk sjell ulje, por rritje të të ardhurave buxhetore, përmes kufizimit të informalitetit dhe rritjen e bazës së tatimpaguesve. Kjo është një mënyrë për të konkurruar me vendet e rajonit, ku Shqipëria është në vend të fundit. Biznesi do të çlirohet menjëherë nga një mal me kërkesa të shpikura apo të ringjallura të burokracisë.
80% prej tyre do të anulohen në tremujorin e parë të qeverisjes sonë. Me këtë barrë lejesh, aprovimesh, është kthyer në një makth të vërtetë. Një qebaptore duhet të paguaj 3 mijë euro për leje mjedisore, kur bashkia e Tiranës dhe qeveria ndërton pa leje.
Nuk pranoj kurrë si kryeministër, në një kohë që papunësia shtohet, më të aftit largohen drejt vendet evropiane. Qeveria takson sipërmarrësit, ndërkohë që qeveria shpenzon 600 euro për një palmë. Në total sipas të dhënave të KLSH, vetëm në dy vitet e fundit, qeveria ka abuzuar me mbi 1 miliardë euro. Imagjinoni se sa do të fuqizoheshin politikat tona në qoftë se këto para në vend se të shkonin për palma të shkonin për nxitjen e sipërmarrjes”, thekson Basha.
3 shkurt 2017 (gazeta-Shqip.com)